Ramush Haradinaj, Hashim Thaçi e Kadri Veseli - Foto: Facebook

Qeveritarët me paga të larta i 'gëzohen' pezullimit të ligjit për paga

Pezullimit të Ligjit për Paga nga Gjykata Kushtetuese mund t’i gëzohen disa zyrtarë të lartë publikë.

Në mesin e tyre është edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Sipas deklarimit të pasurisë për vitin 2018, Thaçi kishte të hyra vjetore prej 33 mijë e 283 euro. Nëse kjo shumë pjesëtohet me 12 muaj, i bie që Presidenti Thaçi ka pagën prej 2 mijë e 773 euro në muaj.

Me Ligjin e ri për Paga, i cili u pezullua sot nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës pas një ankese të Avokatit të Popullit, koeficienti i postit të shefit të shtetit është 10 dhe paga e tij të ulej në 2 mijë e 390 euro.

Pezullimi i këtij ligji mund ta ketë gëzuar fort edhe kryekuvendarin e Kosovës, Kadri Veseli, i cili në bazë të deklarimit të pasurisë në vitin 2018 kishe deklaruar të hyra vjetore 33,871 euro, që nëse pjesëtohet më 12 muaj i bie se Veseli ka pagën mujore 2 mijë e 822 euro.

Ndërsa me Ligjin e ri për Paga, kjo pagë do t’i ulej atij në 2 mijë e 151 euro, njësoj sikurse kryeministrit të Kosovës në detyrë, Ramush Haradinaj, i cili me pezullimin e këtij  ligji paga e tij do të vazhdojë të jetë 2 mijë 618 euro.

Aktualisht një zëvendëskryeministër i Kosovës ka pagën 2 mijë 500 euro. Kurse, Ligji i ri i Pagave ua ka zbritur atyre në 2 mijë e 31 euro, me koeficient 8.5

Po ashtu “stopimi” i këtij Ligji nga Kushtetuesja mund t’i ketë gëzuar edhe numrin e madh të ministrave në detyrë në Qeverinë e Kosovës, të cilët pagën aktuale e kanë 2 mijë euro.

Me Ligj të ri, koeficienti për postin e ministrit është 8 dhe i bie që paga e tyre do të ishte 1 mijë e 912 euro.

Sipas Ligji të ri për Paga, ndërmarrjet publike me kapital mbi 50 për qind shtetëror, koeficientin e cakton Qeveria e Kosovës.

“Nivelet e pagave të punonjësve të tyre të caktuar nga Qeveria, brenda koeficientit minimal 1 dhe koeficienti maksimal 7, sipas vlerës se koeficientit të përcaktuar me nenin 23 paragrafi 1. të këtij ligji”, thuhet në Ligjin për Paga.

Që i bie se, “tavani” për paga në ndërmarrje publike ka koeficientin 7, i cili i bie se një pagë e një shefi ekzekutiv në një ndërmarrje publike do ta ketë 1 mijë e 673 euro.

Kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, mund t’i jetë gëzuar pezullimit të Ligjit për Paga.

Ai në deklarimin e fundit të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion, ka deklaruar pagë prej  4 mijë e 453 euro.

Me koeficientin e ri, ai më së shumti pagë mund t’i ketë 1 mijë e 673 euro.

Ndaj Ligjit për Paga u ankua kohë më parë Avokati i Popullit. Pezullimi i tij erdhi nga Gjykata Kushtetuese. E këtij lajmi mund t’i gëzohet edhe Avokati i Popullit pasi ai mund të marrë pagë më të madhe se siç e parasheh Ligji i ri.

Në deklarimin e fundit në Antikorrupsion, Hilmi Jashari deklaroi pagë vjetore prej  16 mijë e 601 euro, pa përfshirë edhe mëditjet dhe shtesat tjera.

Me Ligjin e ri, koeficienti i Avokatit të Popullit është caktuar 8. Që i bie se paga do të mund të merrej 1 mijë e 383 euro.

Ligjit për Paga mund t’i gëzohet edhe Kryeshefi i Kompanisë Regjionale të Ujësjellësit Prishtina, Ilir Abdullahu. Ai së fundmi deklaroi pagën e tij mujore prej në Antikorrupsion prej 2 mijë e 189 euro.

Me koeficientin e ri, siç është paraparë në Ligjin për Paga, të gjitha ndërmarrjet publike do ta kenë maksimalisht koeficientin 7. E që i bie, se Kryeshefi ekzekutiv i KRU Prishtina do të marrë pagën prej 1 mijë e 673 euro.

Edhe Kryeshefi i Postës së Kosovës mund t’i gëzohet pezullimit të Ligjit për Paga. Ish- kryeshefi i Postës, Sejdi Hoxha, kishte deklaruar një pagë mujore prej 2 mijë e 522 euro, e që brenda vitit shkonte në mbi 30 mijë euro.

Por, Kryeshefi i ri i kësaj ndërmarrje shtetërore nuk do të mund të marrë pagë më të lartë se 1 mijë e 673 euro, pasi kështu e parasheh Ligji i cili u pezullua nga Kushtetuesja.

Një koeficient sipas Ligjit të ri të pagave është 239. Varësisht nga koeficienti përcaktohet edhe paga për zyrtarët publikë.

Koeficientin më të lartë në vend e mban Presidenti i Kosovës i cili është 10. Pas tij renditen kryetari i Kuvendit të Kosovës, kryeministri dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese me koeficient 9.

Këtu mund t’i lexoni koeficientet e të gjithë zyrtarëve publikë.