Kush është kompania “Drustvo Elektrosever” dhe si do të veprojë në Kosovë?

Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë sot pritet ta licencojë një kompani serbe për furnizim me energji elektrike për 4 komunat veriore të vendit.

Kompania “Drustvo Elektrosever” që nga fundi i muajit dhjetor të vitit 2020 ka aplikuar për licencim, ndërsa deri më sot nuk është pajisur me licencë për shkak se dhënia e licencës varej nga përputhshmëria me marrëveshjen e Brukselit.

Regjistrimi dhe licencimi i një kompanie serbe është kërkuar në kuadër të dialogut në Bruksel në vitin 2013, ku Kosova dhe Serbia, kanë nënshkruar Marrëveshjen për energjinë. Palët kishin arritur marrëveshje 15 pikëshe më 19 prill të vitit 2013.

Nënshkruesit e marrëveshjes kanë qenë ish-kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq.

“Drustvo Elektrosever” është regjistruar në Kosovë dhe Qeveria e Kosovës është shprehur se ajo është e lirë të vazhdojë me licencimin për furnizim me energji elektrike nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.

Pronare e “Drustvo Elektrosever” është Serbia, apo kompania publike serbe për prodhimin, furnizimin dhe tregtimin e energjisë elektrike – Elektroprivreda Srbije me 100% të aksioneve.

Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë kanë arritur të martën, më 21 qershor pajtueshmëri të re për zbatimin e marrëveshjes ekzistuese për energjinë. Pra, për zbatimin e marrëveshjes së vitit 2013.

Në udhërrëfyesin që u arrit të martën përmendet që Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë (ZRRE) do të lëshojë licencë për kompaninë serbe, “Drustvo Elektrosever D.O.O.” dhe do të sigurojë se puna e kompanisë do të jetë në përputhje me ligjet e Kosovës.

Në dokument thuhet që brenda shtatë ditëve të lëshimit të licencës, Elektrosever do t’i ofrojë Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike – KEDS dhe Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë – KOSTT të dhënat më të fundit për konsumatorët, nën ndërmjetësim të BE-në.

“Pas 10 ditëve të lëshimit të licencës për furnizim, Elektrosever do të nënshkruajë marrëveshjet e nevojshme teknike me KOSTT-in dhe KEDS-in, në mënyrë që të operojë në tregun e Kosovës për energji”, thuhet në një prej pikave të udhërrëfyesit.

Brenda 15 ditëve të nënshkrimit të marrëveshjeve të nevojshme me KOSTT-in, Elektrosever do të pajisjet me kodet identifikuese, ashtu që të kryejë aktivitetet që i parasheh licenca.

Më pas, në periudhë 30-ditore KEDS dhe KOSTT (nën ndërmjetësim të BE-së, nëse ka nevojë) do të kenë qasje te nënstacioni i Vallaçit, si dhe në infrastrukturën tjetër për shpërndarje.

Në pikën e gjashtë të udhërrëfyesit përmendet që brenda 45 ditëve të sigurimit të licencës, KOSTT dhe KEDS, në konsultim me Elektrosever-in do t’ia dorëzojnë ZRRE-së një plan investimi, kostot e mirëmbajtjes si dhe humbjet në rrjet, bazuar në analizim të infrastrukturës ekzistuese.

Pas 21 ditësh, ZRRE më pas do të miratojë këto plane në parim.

Në rast të mosveprimit sipas kushteve të caktuara pas 100 ditëve të lëshimit të licencës, ZRRE mund të vendosë për pezullim apo tërheqje të licencës për Elektrosever-in, ndonëse para këtij vendimi duhet të ketë konsultime me palët, nën ndërmjetësim të BE-së, brenda një afati kohor prej 15 ditësh.

BE më pas do të ofrojë opinion të ekspertëve, nëse kërkohet të paktën prej ndonjërës palë.

Në anën tjetër, Kosova është pavarësuar nga tregu energjetik me Serbinë. Pas pavarësimit, Republika e Kosovës do të kontrollojë kufijtë e vetë energjetik, duke dalë përfundimisht nga blloku rregullues SMM (Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut) dhe duke iu bashkuar Bllokut Rregullues të Sistemeve Energjetike Kosovë-Shqipëri.

Deri te kjo ka ardhur pasi ishte votuar Marrëveshja e re e Kyçjes në mes të Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO).

Ky zhvillim i kishte hapur rrugë KOSTT-it për integrim në tregun rajonal të energjisë dhe për vënien në operim të linjës energjetike të interkoneksionit Kosovë – Shqipëri.

Sipas marrëveshjes së arritur më 2013, punëtorët e “Elektrokosmet” (kompani serbe për energji në veri të Kosovës) duhet të inkuadrohen në kompaninë e regjistruar sipas ligjeve të Kosovës, ose duhet t’iu ofrohet punësim në KEDS.

Deri vonë, qytetarët e komunave veriore të Kosovës, kanë thënë se kanë pranuar fatura për energjinë elektrike nga kjo kompani serbe.

Kosova e konsideron “Elektrokosmet-in” e Serbisë si kompani ilegale.

Nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë (KOSTT) kanë bërë të ditur se humbjet nga mospagesa e rrymës në veri kanë arritur shumën prej 40 milionë eurosh vetëm në vitin 2021.

Që nga viti 2017 e deri më sot, konsumi i energjisë elektrike në komunat në veri të Kosovës paguhet nga KOSTT-i.

Nga viti 1999 deri më 2017, borxhin për veriun e Kosovës e kanë paguar qytetarët e komunave të tjera të Kosovës. Faturat e tyre kanë qenë më të larta për 3.5 për qind.

Megjithatë, pas ankesave të shumta, Gjykata e Apelit në Kosovë ka vendosur në fund të vitit 2017 për pezullimin e kësaj praktike, duke konstatuar se është e paligjshme.

Ky vendim më vonë është konfirmuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe pagesa ka kaluar te KOSTT-i.

KOSTT është kompani publike e Kosovës me 100 për qind të aksioneve shtetërore.