ZRrE: Kompania “Drustvo Elektrosever” ka licencë vetëm për furnizim, jo për shpërndarje

Kryesuesi i bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Ymer Fejzullahu, tha se kompania serbe “Drustvo Elektrosever” ka licencë vetëm për furnizim me energji elektrike dhe jo për shpërndarje.

Fejzullahu shtoi se aktualisht në Kosovë është e licencuar vetëm një kompani për shpërndarje të rrjetit dhe ajo është KEDS.

“Elektroseveri ka pasur dy aplikacione. Një për furnizim me energji elektrike dhe një për distrubuim. U përmend edhe një mbledhje që ne ligjërisht kemi një operator të shpërndarjes dhe ai operator është KEDS-i, i cili në bazë të licencës mbulon të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Prandaj, me këtë arsye është refuzuar edhe aplikacioni i ‘Elektroseverit’ për licencë të distrubuimit meqenëse as marrëveshja e Brukselit nuk e parasheh licencën për distrubuim”, tha Fejzullahu.

Ymeri shtoi se kjo kompani, sipas licencës, nuk ka të drejtë të furnizojë asnjë komunë tjetër përveç Zveçanit, Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Mitrovicës Veriore.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka licencuar kompaninë serbe ‘Drustvo Elektrosever’ për furnizim me energji elektrike në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës për 5 vitet e ardhshme.

Kjo pikë e rendit të ditës u votua unanimisht nga bordi i ZRrE-së.

Kryesuesi bordit të Zyrës së Rregullatorit, Ymer Fejzullahu, tha se kjo kompani do të furnizojë katër komuna në veri të vendit.

“Me të drejtë u përshkrua në mënyrë kronologjikë aplikacioni për licencim. Katër komunat në veri: Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq dhe Mitrovica Veriore, territori qe mbulon kjo licencë janë konsumatorët e këtyre komunave. E dimë që ka qenë proces i stërzgjatur. Kjo licencë gjithashtu duhet të ritheksoj ka të bëjë me furnizimin e konsumatorëve me çmime të parregulluara, që do të thotë se konsumatorët do të furnizohen me çmime që ofrohen nga ky furnizues. Por tarifat e shfrytëzimit të rrjetit të transmisionit të tregut, të furnizuesit do të jenë obligative dhe do të implementohen në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Ndërsa konsumatorët kane të drejtë të furnizohen me çmime të parregulluara nga furnizuesi Elektrosever”, tha Fejzullahu.

Kompania “Drustvo Elektrosever” që nga fundi i muajit dhjetor të vitit 2020 ka aplikuar për licencim, ndërsa deri më sot nuk është pajisur me licencë për shkak se dhënia e licencës varej nga përputhshmëria me marrëveshjen e Brukselit.

Regjistrimi dhe licencimi i një kompanie serbe është kërkuar në kuadër të dialogut në Bruksel në vitin 2013, ku Kosova dhe Serbia, kanë nënshkruar Marrëveshjen për energjinë. Palët kishin arritur marrëveshje 15 pikëshe më 19 prill të vitit 2013.