Kompania nga Mitrovica e Veriut “Drustvo Elektrosever” aplikon për licencë në ZRrE

Një kompani nga  Mitrovica e Veriut ka aplikuar për licencë të operimit në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë.

Kompania e cila ka aplikuar është “Drustvo Elektrosever” dhe tashmë aplikacioni i kësaj kompanie do të shqyrtohet nga një komision brenda ZRrE-së.

“Komisioni, pas analizimit të aplikacionit, do ta përcjellë te Bordi vlerësimin për marrjen e vendimit përfundimtar. Në Rregullën për licencimin e aktiviteteve të energjisë definohen afatet dhe procedurat për lëshimin e një licence për kryerjen e aktiviteteve të energjisë, afati për shqyrtimin e një aplikacioni mund të zgjasë deri në 60 ditë prej datës kur aplikacioni konsiderohet i kompletuar”, thuhet në përgjigjen e ZRrE-së për KALLXO.com.

Për KALLXO.com kanë konfirmuar se ky proces mund të zgjasë pasi që, bordi i Zyrës së Rregullatorit është jofunksional tash e dita ditë.

“Bazuar në rregullën e lartpërmendur, pas shqyrtimit të aplikacionit, vendimi përfundimtar nevojitet të merret nga Bordi i Rregullatorit. Prandaj, duke qenë se Bordi i Rregullatorit aktualisht nuk është funksional, vendimi përfundimtar nuk mund të merret as për lëshimin e kësaj licence, siç nuk mund të merren as edhe vendime të tjera që kërkohen me legjislacionin përkatës”, theksohet më tej në përgjigjet e këtij institucioni për KALLXO.com.

Në web faqen e regjistrimit të bizneseve- ARBK, kompania “Drustvo Elektrosever” figuron të jetë e regjistruar në Kosovë me datën 07 nëntor 2018 dhe aktiviteti primar i saj është ‘Tregtia e energjisë elektrike’.

Kosova dhe Serbia në Bruksel kishin arritur marrëveshje 15 pikëshe me 19 prill të vitit 2013, ku parashihej edhe sektori i  energjisë.

Kujtojmë se Kosova është pavarësuar nga tregu energjetik me Serbinë.

Pas pavarësimit, Republika e Kosovës do të kontrollojë kufijtë e vet energjetikë, duke dalë përfundimisht nga blloku rregullues SMM (Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut) dhe duke iu bashkuar Bllokut Rregullues të Sistemeve Energjetike Kosovë-Shqipëri.

Deri te kjo ka ardhur pasi ishte votuar Marrëveshja e re e Kyçjes në mes të Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO).

Ky zhvillim i kishte hapur rrugë KOSTT-it për integrim në tregun rajonal të energjisë dhe për vënien në operim të linjës energjetike të interkoneksionit Kosovë – Shqipëri.

Linja e interkoneksionit prej 400 kilovatësh në mes të Shqipërisë dhe Kosovës është inaguruar në qershor të vitit 2016 dhe ka shtrirje prej 241.1 kilometrash.

Ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Kosovës, Valdrin Lluka, ka thënë më herët se arsye kryesore e mosaktivizimit të kësaj linje ka qenë Serbia, e cila, sipas tij, nuk e ka zbatuar Marrëveshjen për Energjinë, të nënshkruar në Bruksel në vitin 2013, ndërmjet përfaqësuesve të Prishtinës dhe Beogradit, me lehtësimin e Bashkimit Evropian.

Nga mosrespektimi i kësaj marrëveshjeje, Kosova vlerësohet se ka humbur deri në 12 milionë euro në vit, pasi inkasimi i tarifave të transmisionit të energjisë që kalon transit përmes Kosovës, është bërë nga shteti i Serbisë në emër të Kosovës.

Shtatë vjet nga marrëveshja e parë Kosovë-Serbi në Bruksel