Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kusari-Lila thirrje qytetarëve të drejtohen tek KESCO për dyshimet në rritje të faturave

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila është deklaruar rreth problemeve që janë shfaqur në vend për faturat e energjisë elektrike.

Rreth problemeve të faturimit, Kusari-Lila thotë se qytetarët duhet të drejtohen tek KESCO.

“Ky rast ka ardhë në vëmendjen tonë gjithashtu, ka dyshime për furnizimin jo të saktë, andaj qytetarët duhet menjëherë t’i drejtohen furnizuesit, në këtë rast KESCO-s dhe gjithashtu nëse nuk ka përgjigje të mirëfilltë edhe Zyrës së Rregullatorit të Energjisë”- deklaroi Kusari Lila.

Tutje, ajo shtoi se Qeveria ka subvencionuar energjinë elektrike sivjet.

“Sa i përket situatës energjetike qeveria ka ndërmarr masa të vazhdueshme për të lehtësu përballjen me krizën energjetike me të cilën përballet gjithë Europa. Qeveria ka bërë subvencionimin e 10 mijë familjeve për blerjen e pajisjeve efiçiente për ngrohje që mundësojnë zvogëlimin e sasisë së energjisë së konsumuar kurse sivjet subvencionohen edhe 20 mijë familje tjera”- shtoi Kusari-Lila.

Kusari-Lila u ka bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë në KESCO për çdo dyshim në faturim.

Pas reagimeve të shumta të qytetarëve për çmime të larta të faturave të energjisë, Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) ka deklaruar se nuk ka rritje të tarifave fundore, po sipas tyre,  shumë konsumatorë po ngrohen me rrymë.

Sipas KESCO-s, tarifat e energjisë elektrike janë rishikuar dhe rritur afërsisht 15% krahasuar me tarifat 2022-2023, me vendim të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, më 1 prill 2023.

“Rritja e vlerës se faturave në ketë muaj dimri është rezultat i rritjes së konsumit të energjisë elektrike, veçanërisht te konsumatorët që e përdorin energjinë elektrikë për ngrohje. Konsumimi i energjisë elektrike në vlerë më shumë se 800 kwh në muaj faturohet me tarifë më të lartë, ashtu siç paraqiten në çdo faturë te konsumatorëve”- thuhet në njoftim.