Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kusari-Lila për marrëveshjen për targa: Është çështje e orëve

Kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë sot se marrëveshja për targa është çështje e orëve.

Kusari-Lila ka thënë shumë pak ditë kanë mbetur që të dilet me një zgjidhje që ruan stabilitetin dhe ligjshmërinë.

“Sa i përket marrëveshjes për targa, unë jam e informuar se janë duke e marrë shumë seriozisht dhe ka pasë shkëmbime të vazhdueshme nga zëvendëskryeministrin Bislimi në raport me Bashkimin Evropian me hapat e radhës. Po besoj që është çështje e orëve, mos të them çështje ditësh, se shumë pak ditë kanë mbetur që të dilet me një zgjidhje për të cilën besojmë që do të ruhet edhe stabilitetit dhe ligjshmëria”, ka thënë Kusari- Lila.

Kusari-Lila kështu ka deklaruar një tryezë diskutimi me temën “Momentumi i ri në raportet Kosovë-Serbi”, e organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dy ditë më parë ka thënë se të martën në Bruksel nuk është arritur asnjë marrëveshje për targat.

Bislimi ka thënë në takim me përfaqësuesin e BE-së i për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, janë diskutuar mundësitë për dalje nga kriza pas situatës së krijuar në veri.

“Nuk ka asnjë marrëveshje për targat, nuk ka propozim të Bashkimit Evropian, jemi duke i diskutuar. Ka elemente që i kemi diskutuar për mundësinë e daljes nga kriza por nuk ka dakordim”- ka thënë ai.

Nga 1 nëntor është duke u zbatuar masa e qortimit për automjetet me targa ilegale.

Ndërsa, nga dita e hënë pritet të hyjë në fuqi masa gjobitjes e cila do të zgjasë për 2 muaj, deri më 21 janar.

Në një mbledhje në Mitrovicë të Veriut, më 5 nëntor 2022, të ftuar nga Lista Serbe, në të cilën morën pjesë zyrtarë të lartë shtetërorë nga komuniteti serb, u njoftua largimi i tyre nga institucionet, përfshirë nivelin qendror ekzekutiv, lokal e nga gjyqësori.

Rakiq ka thënë se këto vendime do të jenë në fuqi derisa Prishtina të fillojë të respektojë marrëveshjet dhe ligjin, derisa të tërheqë vendimin për targat dhe të formojë Asociacionin në përputhje me Marrëveshjen e Parë dhe të gjitha marrëveshjet e tjera të lidhura për këtë çështje në kuadër të Dialogut dhe në bazë të punës së Ekipit Menaxhues për hartimin e Statutit të Bashkësisë së Komunave Serbe.