Kusari-Lila: I propozoj opozitës të kërkojë që Nagip Krasniqi të sjellet duarlidhur në Kuvend

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendoose (LVV), Mimoza Kusari-Lila në seancën e jashtezakonshme të Kuvendit lidhur me gjendjen në KEK është shprehur se në Kuvend po zhvillohen diskutime që e kanë vendin në gjykatë.

“Kuvendi i Kosovës po i shërben më pak qëllimit dhe veprimtarisë që i përcakton kushtetuta dhe më shumë imitimeve të dobeta, të cilat në vend se në kuvend janë duke u zhvilluar në gjykatë”- u shpreh ajo.

Sipas saj, opozita po shfrytëzon mekanizmin “në të cilin kanë ende ndikim, atë të Prokurorisë”.

“Analiza e arsyetimit për këtë debat parlamentar nga ana e opozitës e cila fatkeqësisht mban nënshkrimin e ish-ministrit të drejtësisë së kësaj opozite po e arsyeton mungesën e kredibilitetit dhe drejtësisë në vend. Opozita është thirrur në shqetësimin e thellë për tendencat kinse të pozitës për të penguar dhe hyrë në punën e institucioneve të drejtësisë. Opozita po mundohet të shfrytëzojë mekanizmin në të cilin ende e kanë ndikimin e tyre, atë të prokurorisë, duke e kthyer sallën e Kuvendit në gjykatore”- shtoi tutje Kusari-Lila.

Ajo theksoi se i propozon opozitës që të kërkojë sjelljen e kryeshefin të suspenduar të KEK-ut, Nagip Krasniqit në sallë, “ashtu duarlidhur”, pasi është arrestuar javën e kaluar dhe i njëjti gjendet në paraburgim.

“Unë i propozoj opozitës që ta bëjnë edhe një mocion sot dhe nga qendra e paraburgimit ku po mbahet zoti Nagip Krasniqi të sillet këtu në sallë, ashtu duarlidhur siç e nxorrën nga gjykata dhe të pyetet për të gjitha procedurat e prokurimit në KEK gjatë kohës sa ishte drejtor”- shtoi ajo.

Ajo tutje theksoi se opozita përdori “thirrjen e mikut e cila rezultoi në një arrestim spektakolar.”

“Betejën e parë më të ashpër në Kuvend e kemi bërë në sektorin e energjisë, para një viti keni nisur me kërkesat për komision hetimor parlamentar. Opozita e nxorri kartën që e kanë më të sigurtë, e përdorën thirrjen e mikut e cila rezultoi në hetim dhe arrestim spektakolar e me nxjerrje duarlidhur. Pa dashur të paragjykojë lidhur me procedurën gjyqësore, por arrestime të tilla nuk ndodhin për shkak se i jepet tender dikujt, por se nuk i është dhënë dikujt tjetër”- shtoi ajo.

Më 20 prill, Gjykata e Prishtinës ka caktuar një muaj paraburgim për kryeshefin e KEK-ut, Nagip Krasniqi i dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, është arrestuar për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar; ushtrimi i ndikimit, dhe konflikti i interesit.

Ndërkaq, dje Bordi i drejtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ka marrë vendim për suspendimin nga puna të kryeshefit ekzekutiv, Nagip Krasniqit.

Kuvendi i Kosovës po mban debat parlamentar lidhur me zhvillimet në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) dhe përgjegjësinë e institucioneve qendrore në sektorin energjetik.

Bordi i KEK-ut suspendon kryeshefin e arrestuar Nagip Krasniqin