Kurti vizitoi fabrikën ku prodhohen dronët "Bayraktar", sheh nga afër prototipin e fluturakes luftarake "Kizilelma"

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë qëndrimit në Stamboll vizitoi fabrikën e prodhimit të dronëve ushtarakë “Bayraktar”, me ç’rast u prit nga drejtori ekzekutiv, Haluk Bayraktar dhe drejtori i teknologjisë, Selçuk Bayraktar.

Sipas një komunikate për media, Kurti ka shprehur mirënjohjen e tij ndaj drejtuesve të kompanisë “Baykar” për mënyrën se si është trajtuar me prioritet të lartë çdo blerje e Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës.

Aty, ai u njoftua për teknologjitë e reja që kjo kompani po zhvillon dhe pa nga afër prototipin e fluturakës luftarake pa pilot “Kizilelma”.

Në korrik 2023, kryeministri Kurti bashkë me atëherë ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe komandantin e FSK-së gjenerallejtnant Bashkim Jashari, kishin prezantuar dronët “Bayraktar TB-2” si pjesë e arsenalit të ushtrisë sonë.

Ndërkaq, në nëntor të po të njëjtit vit, ministri i tanishëm i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, kishte dekoruar drejtorin Bayraktar me medaljen “Shërbim të Shquar”, që njëherësh është edhe çmimi më i lartë ushtarak në Kosovë, për vullnetin, gatishmërinë dhe bashkëpunimin me Qeverinë e Kosovës.

“Baykar” është kompani pioniere turke në industrinë e mbrojtjes dhe aviacionit. Ajo është kompania e parë turke që ka prodhuar fluturake ushtarake pa pilot apo dronë dhe është veçanërisht e njohur ndërkombëtarisht për prodhimin e dronëve “Bayraktar TB-2”. Kjo kompani ka gjithsej 4,500 të punësuar, gjysma e të cilëve janë inxhinierë dhe mosha mesatare e të punësuarve është 29 vjet.

Kosova blen dronë Bayraktar