Kurti: Vendimet e PE-së dhe KiE-së konfirmojnë rrugën tonë evropiane

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka folur për vendimin e Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave si dhe pranimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin Evropian.

Sipas Kurtit, këto dy vendime brenda më pak se një jave, konfirmojnë rrugën evropiane të Kosovës.

“Javën që lamë pas edhe këtë javë çdo qytetar i Republikës është ndjerë më afër Evropës. Liberalizimi kishte ngecur për katër vite në agjendën e Këshillit të BE-së. Javën e kaluar Parlamenti Evropian kaloi vendimin e liberalizimit të vizave. Dua të falënderoj edhe njëherë zëvëndëskryeministrat Bislimi e Gërvalla sikurse edhe ministrin e Punëve të Brendshme. Pasaporta jonë do të jetë më e fuqishme ashtu si shteti ynë po bëhet çdo ditë e më i fortë”- ka thënë Kurti.

“Të hënën komiteti i ministrave me mbi 2/3 votoi pro pranimit të aplikimit të Kosovës për anëtarësim. Ne besojmë se si shtet i ri paqedashës që në të ardhmen do të japim kontributin si anëtarë me të drejta të plota në KiE. Këto dy vendime të rëndësishme brenda më pak se një jave konfirmojnë rrugën tonë evropiane”- shtoi ai.

Kreu i ekzekutivit njoftoi se në mbledhjen e sotme do të shqyrtojnë projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për statusin dhe funksionet e komisionit ndërkombëtarë për personat e zhdukur.

“Sot do të shqyrtojmë edhe projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për statusin dhe funksionet e komisionit ndërkombëtarë për personat e zhdukur. Kjo iniciativë e aprovuar vite më parë, sot po konkretizohet dhe po merr drejtimin e duhur”- ka thënë Kurti.

Kryeministri theksoi se çështja e personave të zhdukur më forcë gjatë luftës në Kosovë ka marrë një dinamikë të re edhe në kuadër të dialogut.

“Çështja e personave të zhdukur më forcë gjatë luftës në Kosovë është aktuale dhe permanente deri në zgjidhjen e plotë të saj. Temë prioritare cila do të vazhdojë të trajtohet si çështje e natyrës urgjente. Miratimi i këtij projektligji sot është i një simbolike të veçantë dhe gjithashtu i një rëndësie të madhe, jo vetëm se jemi në prag të shënimit të 27 prillit, Dita e Personave të Zhdukur me Dhunë gjatë luftës në Kosovë, por është edhe në vazhdën e iniciativave të konkretizuara së fundmi si në procesin e liberalizimit të vizave ashtu edhe në procesin e KiE-së, po ashtu në kohën kur kjo çështje ka marrë një dinamikë të re edhe në kuadër të dialogut”- është shprehur mes tjerash Kurti.

Pas 18 marsit 2023, takimi i radhës i nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të mbahet më 2 maj 2023 në Bruksel.