Kurti: Vaksinimi duhet të fillojë menjëherë dhe pa asnjë vonesë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në ceremoninë e e pranimit të kontingjentit të parë të vaksinave anti COVID-19 ka thënë se ky është kontingjent i vogël por që ngjall shpresë të madhe.

“Është ky një kontingjent i vogël por që ngjall shpresë të madhe në vendin tonë për fillimin e shpëtimit të jetëve të njerëzve sidomos të personelit shëndetësor dhe grupeve të popullsisë në rrezik”, tha ai.

Kurti tha që vaksinimi duhet të fillojë menjëherë.

“Vendi ynë është i vogël dhe i varfër andaj dhe ka nevojë për mbështetje të madhe dhe solidaritet nga të gjithë. Gjatë vitit që lamë pas është humbur kohë që na ka kushtuar shumë e me shumë jetë njerëzish, atë kohë nuk do të kthejmë mbrapa, por tani është koha që të veprojmë, vaksinimi duhet të fillojë menjëherë dhe pa asnjë vonesë”, tha ai.

Shefi i ekzekutivit tha se ‘qeveria po punon ditë e natë, dhe po bënë të pamundurën për të siguruar doza të vaksinave’.

Sot në Kosovë ka arritur kontingjenti i parë me 24,000 doza të vaksinave kundër coronavirusit, të kompanisë AstraZeneca të siguruara nga UNICEF në kuadër të projektit COVAX.

Plani i Kosovës për vaksinimin kundër COVID-19