Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në konferencë për media, 2 shkurt 2022, Foto: KALLXO.com

Kurti: Trepça dhe KEK-u do të mund të funksionojnë më mirë me bordet e rregullta

Pas emërimit të bordeve të reja të ndërmarrjeve Trepça dhe KEK, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se këto borde do të mund të funksionojnë më mirë.

Kurti u ka bërë thirrje që të ketë aplikime sa më profesionale kur të shpallen konkurse në ndërmarrje publike.

“Trepça dhe KEK-u do të mund të funksionojnë më mirë për shkak që i kanë bordet e rregullta. I bëj thirrje profesionistëve që kur të shpallim konkursin të aplikojnë, për shkak që duam të kemi njerëz me kompetencë në këto ndërmarrje. Në Trepçë i kemi 5 anëtarë e na duhen edhe 4, i bëj thirrje grave si dhe pjesëtarëve të pakicave. Ndërsa në KEK i kemi 6 anëtarë”, tha ai në konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë.

Qeveria e Kosovës sot ka emëruar bordet e reja mbikëqyrëse të ndërmarrjeve publike KEK dhe Trepça.