Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kurti tregon se sa ministra e zëvendësministra do t’i ketë qeverisja e tij

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti ka treguar se sa zëvendësministra e ministra do t’i këtë qeverisja e tij nëse do të arrijë të fitojë zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Në qeverisjen që e patëm, i patëm 15 ministri. Do të kishim synuar edhe më pak por nuk do të jetë rasti, për secilën ministri nuk do të kemi më shumë se dy zëvendësministra”, tha Kurti në DebatPernime.

Albin Kurti së bashku me ekipin e tij, Glauk Konjufca, Arben Vitia, Hekuran Murati, Albulena Haxhiu, Arbërie Nagavci, Fitore Pacolli, Jeta Statovci, Mimoza Kusari, Rozeta Hajdari nga Lëvizja Vetëvendosje, sonte janë të ftuar në #DebatPernime.

Cila është oferta e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 14 shkurtit?

Cilat janë planet e Albin Kurtit dhe ekipit që ai i udhëheq për luftimin e korrupsionit?

A do të jetë kryeministër ai pas zgjedhjeve të 14 shkurtit?

Siç dihet, Kurti nuk është certifikuar në listën e Vetëvendosjes nga ana e KQZ-së, pas vendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës ai mbeti përfundimisht jashtë listës së votuesve.

Mirëpo, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka dorëzuar KQZ-së, listë të re edhe pas vendimit të Supremes, duke e lënë kështu listën e njëjtë.

Cikli i #DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahet gjatë dhjetë ditëve të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 14 shkurt.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.

Debati transmetohet në orën 20:20 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.