Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Çolakoviq: Ne nuk kemi kënde nëpër muze ku t’i tregojmë rrobat tradicionale boshnjake

Kandidatja për deputete, Anesa Çolakoviq nga NDS, e ftuar në #DebatPernime ka thënë se komuniteti boshnjak nuk ka kënde nëpër muzetë në Kosovë ku do të mund t’i shpërfaqnin rrobat tradicionale boshnjake.

Ajo në debat ka thënë se për të arritur këtë duhet marrëveshje rajonale dhe komunale.

“Ne nuk kemi muze të rrobave të komunitetit boshnjak dhe komuniteteve të tjera. Mendoj që duhet të kemi marrëveshje regjionale dhe komunale. Në muzetë komunale nuk ka njerëz që punojnë nga komunitetet dhe nuk kemi kënde se ku do të mund t’i tregonim edhe ne veshjet tona”, ka thënë Çolakoviq.

Pjesë e debatit të sotëm janë: Burbuqe Bakija Deva nga AAK, Fahredin Spahija e Avdi Pireva nga LDK dhe Anesa Çolakoviq nga NDS.

Debati transmetohet në orën 20:20 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahet gjatë dhjetë ditëve të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 14 shkurt.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.