Kurti takon Latifin pas dorëheqjes së tij  

Pas dorëheqjes së tij, sot në Kryeministri, kryeministri Albin Kurti ka pritur në takim ish-Ministrin e Shëndetësisë Rifat Latifi.

Siç bëhet e ditur në komunikatën për media të qeverisë, në këtë takim kryeministri Kurti ka shprehur mirënjohje për punën, angazhimin dhe kontributin e tij.

“Kryeministri i dëshiroi suksese në vijim, dhe shprehu vullnetin për mënyra të tjera për bashkëpunim në të ardhmen”- thuhet në komunikatë.

Latifi në këtë takim, sipas komunikatës ka shprehur gatishmërinë e tij dhe vazhdimin e mbështetjes si profesionist, akademik e qytetar, sidomos në projektet e filluara tanimë.

Po ashtu në komunikatë bëhet e ditur se kryeministri Kurti sot ka emëruar zëvendësministren Dafina Gexha-Bunjaku për ushtruese të detyrës së ministres në Ministrinë e Shëndetësisë.

Dje Rifat Latifi ka dhënë dorëheqje nga posti i ministrit të shëndetësisë.

Drejtimin e kësaj ministrie ai e kishte marr që nga nëntori i vitit të kaluar.

Jep dorëheqje ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi