Kurti: Synojmë që Telekomin ta bëjmë lider në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në vizitën e tij në Ndërmarrjen Publike, Telekomi i Kosovës ka falënderuar bordin, menaxhmentin dhe punëtorët për angazhimin e tyre.

“Para më shumë se një dekade, neve na kujtohet që para disa viteve Telekomi sillte dividentë milionëshe buxhetit të Kosovës. Ne synojmë ta bëjmë lider Telekomin në Kosovë ashtu siç ka qenë, prandaj vitin e kaluar i kemi dhënë mbështetje financiare në vitin që lam pas”, ka thënë Kurti.

Ai gjithashtu ka thënë se në vitin 2022 është i interesuar që bashkërisht edhe Qeveria edhe Telekomi i Kosovës ‘…ta nxjerrim Telekomin përfundimisht nga kriza dhe t’a vendosim në binarët e zhvillimit për të mirën e qytetarëve’.

U.d. Kryeshefja Ekzekutive e Telekomit të Kosovës, Burbuqe Hana ka thënë se kjo është Qeveria e parë që nuk po merr dividentë prej Telekomit dhe se Telekomi ka nevojë të madhe për ndihmë.

Ajo ka folur edhe për ndihmën për pagesën ndaj borxhit të Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP).

“Ndihma ka qenë ekskluzive për pagesë të ARKEP. Borxhi ka qenë 9 milion e 786 mijë e 180 euro. Kjo i bije që praktikisht e gjithë vlera është e dedikuar për pagesë të frekuencave të ARKEP-it, ka qenë borxh i grumbulluar. Për hir të transparencës ju njoftoj që në qoftëse kemi pasë 10 vite çdo vit me bo pagesa në arkiv nuk është bërë asnjë pagesë. Në qoftë se nuk paguhen frekuencat në arkiv, kemi pasë mundësi edhe të ndal funksionimin frekuencor të Telekomit”, ka thënë Hana.

Qeveria e Kosovës në fund të vitit 2021 kishte ndarë 10 milionë e 860 euro për ndërmarrjet publike.

Kjo ndarje buxhetore nga Qeveria është bërë me kërkesë të Ministrisë së Ekonomisë dhe me propozim të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me ministren e ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe me  ministrin e financave, Hekuran Murati sot kanë kanë vizituar Ndërmarrjen Publike , Telekomi i Kosovës.