Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com

Qeveria ndan mbi 10 milionë euro për ndërmarrjet publike

Qeveria e Kosovës në një mbledhje elektronike të mbajtur sot ka marrë vendim që të ndajë 10 milionë e 860 euro për ndërmarrjet publike.

Sipas njoftimit të Qeverisë, kjo shumë është ndarë për zbatimin e Pakos së Ringjalljes Ekonomike për masën 4.6  në të cilën hyn edhe mbështetja për këto ndërmarrje.

Kjo ndarje buxhetore nga Qeveria është bërë me kërkesë të Ministrisë së Ekonomisë dhe me propozim të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve.

Në fund të vitit 2020, Qeveria kishte ndarë 1 milion euro për katër ndërmarrje publike.

Ndërmarrja “Trepça” ishte mbështetur me 100 mijë euro, KRU “Mitrovica” është mbështetur me 200 mijë euro, KRU “Hidromorava” është mbështetur me 300 mijë euro, ndërsa Kompania Rajonale e Mbeturnave “Çabrati” në Gjakovë, është mbështetur me 400 mijë euro.