Kurti shkon në veri, bën homazhe te vendi i rënies së Enver Zymberit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në 23-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, ka bërë homazhe në vendin e rënies së policit Enver Zymberi.

Kurti u shoqërua nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, me të cilin vendosën buqetë me lule pranë vendit ku më 26 korrik 2011 mbeti i vrarë Enver Zymberi.

Zymberi ra gjatë kohës sa ishte në detyrë të pjesëtarit të forcave speciale të Policisë së Kosovës, në rrugën nacionale që lidh Mitrovicën me Zubin Potokun, në afërsi të fshatit Zubç.

“Në shënim të 23-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës, Kryeministri Kurti kujtoi Enver Zymberin, i rënë në kryerje të detyrës zyrtare dhe në bartje të misionit për shtrirjen e plotë të sovranitetit dhe ligjshmërisë në Republikën e Kosovës” – thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës.

Tutje është thënë se Kurti dhe Sveçla vizituan edhe bazën e re të Policisë në Jasenovik në Zubin Potok, si dhe kampin e njësisë speciale Belvedere në Mitrovicë.