Kurti: Për 21 muaj u punësuan 37,350 persona, gjysma e tyre gra

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së këshillit ‘Gratë për Vetëvendosje’ përmendi hapat që ka marrë qeveria e tij për t’u dalë në ndihmë grave dhe vajzave.

Sa i përket ndihmës ndaj grave, Kurti përmendi shtesat për fëmijë dhe lehona.

“Deri tani janë ndarë shtesa për 34 mijë lehona dhe për mbi 340 mijë fëmijë nën moshën 16. Për 21 muaj prej marsit 2021 deri në dhjetor 2022 është rritur punësimin primar për gjithsej 37 mijë e 350 persona. Prej tyre 18 mijë e 774 apo 50.3% janë gra” – është shprehur Kurti.

Kryeministri po ashtu foli edhe për bursat që qeveria ka ndarë për nxënës e studentë, që në shumicën prej tyre janë përkrahur vajzat.

Ai ka theksuar se gratë e shkolluara dhe punësuara bëjnë dallimin drejt barazisë.

“Gratë e shkolluara, gratë e punësuara e bëjnë dallimin drejt barazisë. Tre mijë bursa për studime brenda dhe jashtë vendit, mbi 1.300 bursa për fushat STEM, shkencë, teknologji, inxinieri dhe matematikë në vitin akademik 2021/22” – tha Kurti.

Tutje, ai përmendi edhe bursat  për komunitete dhe për studime në drejtime deficitare.

Kurse, me platformën Super Puna theksoi se janë krijuar 2 mijë marrëdhënie pune, prej tyre më shumë se gjysma janë vajza.

“Këtë vit 2 milionë euro për 1 mijë bursa, 5 mijë bursa për nxënës të shkollave të mesme nga komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian, mbi 100 bursa për nxitjen e vajzave dhe djmeve për studime në drejtime deficitare dhe deri në fund të muajit mars rreth 2 mijë marrëdhënie të punës përmes Super Punës, prej tyre 51% janë vajza”- është shprehur Kurti.