Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kurti pas votimit: Po përmbyllim një vit të suksesshëm elektoral

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas votimit ka thënë se sot po përmbyllet një vit i suksesshëm elektoral.

“Me 14 nëntor sot, mund të themi që po e përmbyllim një vit të suksesshëm dhe të mirë elektoral, që nisi me zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit, vazhdoi me zgjedhjet lokale të 17 tetorit dhe tash sot e kemi balotazhin”, ka thënë ai para gazetarëve.

Sipas Kurtit, Republika e Kosovës ka dëshmuar se është një shtet demokratik në të cilin respektohen të drejtat e të gjithë qytetarëve dhe ata në mënyrë të lirë dhe të ndershme zgjedhin ata të cilët do të zgjedhin në vijim për ne.

“Urime të gjithëve kjo përmbyllje e këtij viti të jashtëzakonshëm elektoral”, tha ai.

“Komuna është shumë e rëndësishme, në njërën anë ajo është publikja e lagjes dhe në anën tjetër është gjithashtu edhe qeliza e Republikës. Andaj i inkurajoj të gjithë qytetarët me të drejtë vote që ta shfrytëzojnë mundësinë ta përdorin këtë rast dhe të përcaktohen për veten e tyre nëpërmjet udhëheqësve që do t’i zgjedhin sot.  Moti është shumë i bukur dhe pa të reshura, andaj pjesëmarrja sa më masive është e pritshme. Mekanizmat shtetërorë do të kujdesen për mbarëvajtjen e procesit me respektim të ligjit dhe me zbatim të rregullave”, shtoi kryeministri.

Sot mbahet rrethi i i dytë i zgjedhjeve për kryetarë të 21 komunave të Kosovës.

Nga 38 komuna të Kosovës, 21 prej tyre kanë shkuar në balotazh pasi në zgjedhjet e datës 17 tetor kandidatët nuk kishin arritur të marrin mbi 50% të votave, që do u siguronte fitore pa rund të dytë.

Qendrat e votimit nëpër këto komuna janë hapur në orën 07:00 dhe do mbyllen në ora 19:00.