Kurti pas sanksioneve të ShBA-së: Kjo vërteton legjitimitetin e veprimeve të Policisë së Kosovës në veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka quajtur shumë të mirëseardhur vendimin që Millan Radoiçiq, Zvonko Veselinoviq dhe 11 serbë të tjerë nga Kosova, janë vënë në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të ShBA-së më 8 dhjetor.

Sipas Kurtit, kjo vërteton legjitimitetin e veprimeve të Policisë së Kosovës javë më parë në komunën veriore të Mitrovicës kundër kontrabanduesve të mallrave ilegale.

“Vendimi i sotëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës vërteton legjitimitetin e veprimeve të Policisë së Kosovës javë më parë në komunën veriore të Mitrovicës kundër kontrabanduesve të mallrave ilegale. Lidhjet e bashkëpunimit ndëretnik të grupeve kriminale dhe fushëveprimit të tyre transnacional do t’i luftojmë nëpërmjet bashkëpunimit të zyrtarëve të institucioneve tona pa dallim etnie dhe bashkëpunimit ndërkombëtar me aleatët e partnerët tanë. Krimi i organizuar është rrezik i sigurisë kombëtare. Republika e Kosovës është e të gjithë qytetarëve të saj. Qeveria e Republikës së Kosovë ka prioritet luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit”, ka shkruar kreu i ekzekutivit kosovar në rrjetin social “Facebook”.

Kujtojmë se më 13 tetor 2021, Policia e Kosovës kishte nisur një aksion kundër kontrabandës në vend, përfshirë edhe në veri të vendit. Nga ky aksion janë arrestuar tetë persona nga ta 6 shqiptarë, dhe një serb e një boshnjak. Ndërsa janë lënduar gjashtë policë, një prej tyre një serb.

Sot më 8 dhjetor, Millan Radoiçiq, Zvonko Veselinoviq dhe 11 serbë të tjerë nga Kosova, janë vënë në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të ShBA-së.

Në komunikatën e Departamentit amerikan të Thesarit, Veselinoviq identifikohet si udhëheqësi i grupit të krimit të organizuar dhe gjithashtu si një nga figurat më famëkeqe të korrupsionit në Kosovë.

Grupi i krimit të organizuar, sipas këtij Departamentit, është e angazhuar në një skemë ryshfeti në shkallë të gjerë me zyrtarë të sigurisë kosovare dhe serbe.

Sipas tyre, përmes ryshfetit, lehtësojnë trafikimin e paligjshëm të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Grupi gjithashtu ka komplotuar me politikanë të ndryshëm në disa marrëveshje quid pro quo, duke përfshirë ryshfetin në fillim të vitit 2019 të zyrtarëve kosovarë të sigurisë për të lejuar operacionet e tyre të kontrabandës ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe ryshfetin e fundit të vitit 2017 të zyrtarëve kosovarë të sigurisë kufitare për të lejuar kalimin e sigurt për kontrabandistët”, thuhet në këtë komunikatë.

Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja në kuadër të këtij Departamenti, publikoi të mërkurën një listë të individëve dhe kompanive të tyre në vende të caktuara që me një emër quhen “Shtetas të etiketuar në mënyrë të posaçme”.

Me futjen e tyre në listë të sanksioneve, prona e tyre kryesisht bllokohet dhe qytetarëve amerikanë u ndalohet të bashkëpunojnë me ta.