Foto: ZKM

Kurti pas pranimit të Raportit të Progresit: Kosova bëri reforma të cilat ishin injoruar nga qeveritë e kaluara

Kryeministri Albin Kurti ka pranuar Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën, Raportin ia dorëzoi shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.

Në një konferencë për media Kurti foli për progresin që ka shënuar Kosova bazuar në të dhënat e Raportit.

“Sot kemi pranuar Raportin e Progresit. Ky është raporti i parë që përfshin periudhën e plotë njëvjecare të qeverisjes sonë. Sa i përket vitit që shkoi, vendi ynë ka shënuar progres në shumë fusha, përkundër krizave globale nga pandemia deri te energjia e inflacioni”- ka thënë Kurti.

Sipas tij, Raporti e përgëzon Kosovën për stabilitetin dhe qëndrueshmërinë politike. Ai shtoi se Kosova bëri reforma të cilat ishin injoruar nga qeverisjet e kaluara.

“Stabiliteti politik është parakusht për reforma afatgjate, prandaj këtë vit janë ndërmarrë reforma që kanë qenë rekomandime të BE-së, të cilat ishin injoruar nga qeveritë e kaluara si: terminalet doganore private, nuk janë në harmoni me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe kalimi i tyre në publike është rekomanduar që nga viti 2018. Vitin e kaluar e kemi hapur atë në Mitrovicë, ndërsa këtë vit e kthyem në shtetëror atë në Podujevë dhe do vazhdojmë edhe më atë në Vërmicë”- shtoi Kurti.

Kryeministri potencoi se rregullorja e Kuvendit të Kosovës u miratua pas 12 viteve dhe Ligji për financimin e partive politike, i nisur në vitin 2014, por me shumë hezitime, është votuar në këtë qeverisje.

Kurti shtoi se janë duke zbatuar agjendën e reformave evropiane dhe duke zbatuar programin kombëtar për MSA 2022-26.

Kryeministri më tej shtoi se sundimi i ligjit është ndër prioritetet që kanë me BE-në. Sipas tij, tashmë është dorëzuar në Kuvend Ligji për Vetting-un.

Kurti tregoi edhe progresin e shënuar në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

“Kemi rritur luftën kundër korrupsionit që deri tani ka rezultuar në më shumë se 789 operacione policore, më shumë se 2,200 persona të arrestuar, prej tyre 300 zyrtarë shtetërorë dhe 60 grupe kriminale të shkatërruara, 1.7 ton drogë janë konfiskuar dhe janë mbyllur rrugë ilegale në veri të vendit” – shtoi tutje ai.

Kurti tha se vitin që lamë pas, Kosova shënoi rritje ekonomike prej 7 për qind të bruto produktit vendor.

Ai foli edhe për arritjet në investimet për energji të ripërtërishme.

“Kemi marrëveshjen me MCC, një investim i madh për energjinë, parku i erës në Selac dhe Solar For Kosovo që do jetë ndër më të mëdhenjtë në Evropë”- shtoi ai.

Kurti për fund theksoi se kanë filluar përgatitjet për dorëzim të aplikacionit për anëtarësim në BE.

Këtu gjeni të dhënat nga Raporti i Progresit për Kosovën.