Kurti: Një pararendës i imi u zotua që të mos e lejojë FSK-në në veri, por kufiri duhet të ruhet

Kryeministri Albin Kurti gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të partisë që ai udhëheq – Lëvizjes Vetëvendosje, kujtoi sulmin e 24 shtatorit mbi policinë e Kosovës nga ku një polic, Afrim Bunjaku mbeti i vrarë nga një grup terrorist.

Kurti tha se është zotimi i njëanshëm ndaj NATO-s i “një pararendësi” të tij që nuk lejon FSK-në të futet në veri, por sipas tij, kufiri ynë duhet të ruhet, duke shtuar se zotimi ka lënë vakum në pjesën veriore.

“Vigjilenca dhe gatishmëria jonë për veriun është dëshmuar që nga dita e parë e qeverisjes sonë. Është zotimi i njëanshëm ndaj NATO-s i një pararendësi tim që nuk lejon FSK-në të futet në veri, por kufiri ynë duhet të ruhet. Ky vakum që është atje duhet të mbushet, dhe për këtë jemi duke shtuar bashkëpunimin me aleatët tanë ndërkombëtar dhe ata praninë e KFOR-it atje. Serbia duhet të ndëshkohet ndërkombëtarisht sepse sa herë s’është ndëshkuar, ajo i ka përsëritur krimet” tha Kurti të shtunën.

“Ne do të ngadhënjejmë sepse ne kemi Afrimin brenda nesh, kurse ata e kanë vetëm, krimin”- ka thënë Kurti.

Ish-presidenti Hashim Thaçi, në vitin 2013, asokohe ishte kryeministër i Kosovës, ishte zotuar që FSK-ja nuk do të hyjë në veri të shtetit, deri në një afat të pacaktuar. Ky zotim ishte në “letra sekretet” që ish-kryeministri Thaçi asokohe kishte këmbyer me ish-sekretarin e NATO-s Anders Fogh Rasmussen.