Kurti: Nëse Serbia kalon e pandëshkuar, do ta përsërisë krimin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka theksuar nevojën për ndëshkimin e shtetit të Serbisë lidhur me sulmin terrorist që ndodhi më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, brenda territorit të Republikës së Kosovës.

Sipas Kurtit, nëse Serbia kalon pa u ndëshkuar, do ta përsërisë krimin.

“Për këtë akt të agresionit ndaj Kosovës, Serbia duhet të sanksionohet e ndëshkohet ndërkombëtarisht. Nëse kalon e pandëshkuar, atëherë ajo do ta përsëritë krimin. Armatimi ushtarak dhe trajnimet luftarake që i kishin profesionistët serbë të cilët sulmuan në Banjskë të Zveçanit, janë që të gjitha nga Serbia dhe të freskëta në kohë”- tha ai.

Në seancën e parë pas sulmit që la të vdekur një polic të Kosovës, Kurti tha se sulmi i së dielës cenoi integritetin territorial, sovranitetin shtetëror dhe sigurinë kombëtare.

Ai edhe njëherë bëri thirrje për ekstradim të sulmuesve që kanë arritur të ikin atë ditë.

“Sulmuesit të cilët arritën të ikin, duhet të ekstradohen. Duhet të dorëzohen në organet e Republikës së Kosovës”- tha ai.

Ndër të tjera, kryeministri i vendit ka thënë se shtetet mike duhet ta ndjekin shembullin e Qeverisë së Kosovës për t’i shpallur terroriste dy organizatat “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada Veriore”.

Fjalimin e tij sot në Kuvend, Kurti e ka nisur me fjalë të mëdha për Policinë e Kosovës duke thënë se asnjë grup kriminal nuk ka shanse ndaj Policisë së Kosovës.

“Me të zbardhur drita, u pa se çfarëdo grupi kriminal e terrorist nuk ka kurrfarë shanse me Policinë e Kosovës. Ata u vranë, u arrestuan ose po ndiqen sepse janë në ikje”- tha Kurti.

Më 24 shtator 2023, rreth orës 03:00, një pjesëtar i Policisë së Kosovës është vrarë dhe një tjetër është plagosur nga një grup i personave të armatosur në Banjskë të Zveçanit.

Grupi i armatosur më pas ka hyrë në oborrin e manastirit të Banjskës në Zveçan. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte thënë gjatë ditës se personat e armatosur janë rrethuar nga policia tek manastiri i Banjskës në Zveçan, në afërsi të të cilit është vrarë edhe polici Afrim Bunjaku, në orët e para të së dielës më 24 shtator 2023, e janë lënduar dy të tjerë.

Sipas informacioneve zyrtare, tre pjesëtarë të grupit sulmues janë vrarë nga ballafaqimi me armë zjarri me forcat e rendit të Kosovës dhe tre të tjerë, të arrestuar, të cilët tani gjenden në paraburgim.

Prokuroria Speciale e Kosovës deklaroi se rasti po trajtohet si sulm ndaj rendit kushtetues, ku hyn edhe terrorizmi si vepër penale.