Foto: ZKM

Kurti në takim me komandantin e KFOR-it, diskutohet për sigurinë dhe rregulloren e BQK-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim komandantin e misionit të KFOR-it, Ozkan Ulutas.

Sipas njoftimit të KFOR-it, temë e këtij diskutimi ka qenë situata e sigurisë në Kosovë.

“Sot, komandanti i KFOR-it është takuar me Albin Kurtin për të diskutuar mbi zhvillimet e fundit të sigurisë. Komandanti i KFOR-it theksoi rëndësinë e koordinimit dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe efektiv në të gjitha institucionet e sigurisë, duke përfshirë KFOR-in dhe EULEX-in” – thuhet në njoftimin e KFOR-it.

 

Ndërsa në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit thuhet se u fol për sigurinë në vend e edhe për Rregulloren e re të BQK-së që ka hyrë në fuqi më 1 shkurt 2024.

Sipas këtij njoftimi, kryeministri Kurti ka deklaruar se BQK-ja është institucion i pavarur e profesional dhe se Qeveria nuk mund e nuk duhet të ndikojë në vendimmarrjen e saj.

“Në këtë drejtim theksoi rëndësinë e ruajtjes së kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së institucioneve publike dhe funksionimit të pavarur e të pandikuar të tyre” – vazhdon njoftimi.

Aty thuhet se kryeministri Kurti foli edhe për rëndësinë e luftimit të pastrimit të parave dhe kriminalitetit dhe tha se Kosova EURO-n si valutë e ka marrë nga Bashkimi Evropian.

“Qeveria mbështet zbatimin e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në gjithë vendin. Përveçse për ligjshmëri e rregull, kujdeset edhe për paqe dhe siguri” – theksohet në njoftimin e ZKM-së.

Takimi mes Kurti te komandantit të KFOR-it vjen disa ditë pas hyrjes në fuqi të Rregullores së BQK-së, e cila përcakton që vetëm euroja të përdoret si valutë për pagesa me para të gatshme, pavarësisht thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar për shtyrjen e zbatimit të saj.

Vendet e QUINT-it kanë bërë thirrje për shtyrje të këtij vendimi ndërsa Ndërkohë, Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Kosovës që të ofrojë periudhë të gjatë tranzicioni për largimin nga përdorimi të dinarit serb.

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se zbatimi i rregullores për transaksionet me para të gatshme do të bëhet përmes një tranzicioni të lehtë dhe se nuk do të ketë gjoba për posedimin e valutave të vendeve të tjera.

Kryetari i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, Zlatan Ellek, ka thënë se ndalimi i përdorimit të dinarit “nënkupton dëbimin e serbëve dhe të gjitha institucioneve serbe” nga territori i Kosovës, raporton REL.

Duke folur në një konferencë për media në Mitrovicën e Veriut, Ellek theksoi se të gjithë ata që gëzojnë të hyra nga Serbia janë në rrezik dhe se rreth 100 mijë serbë në Kosovë do të preken drejtpërdrejt nga vendimi i autoriteteve kosovare për ta ndaluar përdorimin e dinarit serb.

“Kjo vlen për të gjitha institucionet që funksionojnë në sistemin serb, pensionistët, përfituesit e përfitimeve sociale, studentët, bursistët. Pra, i gjithë populli serb”, tha Eleku.

Sipas REL, Dinarët kanë ardhur në Kosovë nga Serbia përmes Bankës Kombëtare të Serbisë, e cila ka një kasafortë në Leposaviq, komunë në veri të Kosovës e banuar me shumicë serbe. Paratë atje janë transportuar nga kompania e transportit të parave “Henderson”.

Në rregulloren e BQK-së u tha se importi dhe eksporti i kartëmonedhave dhe monedhave metalike euro dhe valutave të tjera në Kosovë është e drejtë ekzekutive e saj.