Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kurti: Ne i dalim zot premtimeve, AKP-ja do të shuhet - VIDEO

Kryeministri i vendit Albin Kurti, ka thënë se Kuvendi me futjen në rend dite të raportit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) dhe Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) i hapi rrugën qeverisë për përmbushjen e premtimit të saj.

Kurti tha që ashtu siç kanë premtuar, Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) do të shuhet.

“Ne i dalim zot premtimeve tona për qytetarët e Republikës së Kosovës të cilët në mënyrë plebishitare na e kanë dhënë votën dhe realizuar fitoren. 50.28 për qind kanë votu për fitoren tonë fitore e pa parë në Kosovën e pasluftës. Kemi thënë se AKP do të shuhet dhe AKP do të shuhet. Që të shuhet AKP-ja duhet të shkarkohet një herë bordi, sepse kanë vjedhur shumë”, tha Kurti.

Kurti kritikoi punën e bordit të AKP-së, duke thënë që është koha që kjo të marrë fund.

“Kanë vjedhur me paga, kanë vjedhur me privatizime, janë paguar për të vjedhur, dy dekada të pasluftës në Kosovë janë dekada të tjetërsimit dhe deindustrializimit, dhe kjo do të marrë fund”, tha ai.

Kurti para deputeteve të Kuvendit të Kosovës, premtoi një bord të ri i cili do të shuaj agjencinë.

“Na nevojitet një bord i ri që mision ka shuarjen e AKP-së, bordi aktual ka pasur mision privatizimin e likuidimin, ku janë trajtuar pasuritë e Kosovës si barrë nga e cila duhet liruar republika jonë, e jo si shanse për zhvillimin tonë”, theksoi Kurti.

Me 63 vota për, asnjë kundër, asnjë abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë vendosur që në rend të ditës së raporti vjetor i Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe ai i bordit ARKEP.

Ky propozim erdhi nga  Mimoza Kusari Lila, u.d. kryetare e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në seancën e sotme, propozoi që të futen këto dy pika shtesë të rendit të ditës.

Ky propozim u kundërshtua nga AAK, PDK, dhe LDK.

Shuaja e Agjencisë Kosovare të Privatizimit është një nga premtimet e qeverisë Kurti 2.

Premtimet e Albin Kurtit dhe ekipit të tij