Kurti: Kosova krahasohet me Zvicrën dhe Luksemburgun sa i përket transformimit digjital

Gjatë prezantimit të Strategjisë së Kosovës për Qeverisje Elektronike 2023-2027, kyreministri Albin Kurti tha se kjo strategji e re vendos vizionin për një administratë publike të digjitalizuar e cila ndikon në mirëqenie të qytetarëve.

Kurti ka thënë se ky vizon përputhet me pritshmërinë e qytetarëve për digjitalizim.

“Strategjia e re e e-Qeverisjes e vendos vizionin tonë për një administratë publike të digjitalizuar e cila ndikon në mirëqenien e qytetarëve. Ajo po ashtu e maksimizon efektivitetetin, transparencën dhe llogaridhënien e Qeverisjes, dhe ndikon pozitivisht në rritjen e qëndrueshme të ekonomisë së vendit”- ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se jetësimi i vizionit dhe parimeve të strategjisë mbështetet në disa shtylla kyqe; sistemet dhe infrastruktura digjitale në vend, infrastrukturës gjithëpërfshirëse të organizatave, avancimi i sistemeve qendrore etj.

Kurti ka thënë se Kosova krahasohet me Zvicrën dhe Luksemburgun sa i përket transformimit digjital.

“Në rrugëtimin tonë shoqëror drejt digjitalizimit është e rëndësishme që askush të mos mbetet prapa. Kosova është në top shtatë vendet në Evropë dhe krahasohet me Zvicrën dhe Luksemburgun”- ka thënë Kurti.

Tutje ai ka shtuar se edhe rritja e sigurisë dhe qëndrueshmërisë kibernetike është një shtyllë tjetër e rëndësishme e strategjisë.

Ndërsa, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka thënë se Gjermania do të vazhdoj bashkëpunimin për përmirësimin e digjitalizimit në Kosovë.

“Gjermania do të vazhdoj bashkëpunimin për përmirësimin e digjitalizimit në Kosovë, jam shumë i kënaqur te shoh që Qeveria po merrë hapa për hartimin e strategjisë 2023-2027, miratimini kësaj strategjie është një etapë për përafrimin me BE, kjo ka të bëjë më zhvillimin e sektorit publik dhe përmirësimit të jetës së njerëzve. Investimet e vazhdueshme në strukturën digjitale është i nevojshëm, por edhe aftësimi i njerëzve të rijnë për shkathtësitë digjitale”- ka thënë ambasadori gjerman.

“Kosova është në rrugë përpara dhe po i afrohet nivelit evropian çdo ditë e më shumë” – është shprehur ai.

I pranishëm në prezantimin e kësaj strategjie është edhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.

Ai ka thënë se përgjatë mandatit të kësaj qeverie, deri tani fokus i veçantë i është kushtuar digjitalizimit të shërbimeve për qytetarët.

“Kjo strategji e punuar mbi një analizë të mirëfilltë bënë më të qartë rrugën dhe misionin tonë që kemi në këtë progres. Procesi i digjitalizimit të shërbimeve është domosdoshmëri që duhet të zhvillohet me ritëm edhe më të përshpejtuar, si qeveri dhe MPB kemi miratuar një sërë dokumentesh që do ti kontribuojnë digjitalizimit”- ka thënë ai.