Kurti: Kosova e përkushtuar për forcimin e partneritetit me shtetin e Iowa

Kryeministri Albin Kurti deklaroi sot se Republika e Kosovës vlerëson partneritetin strategjik dhe mbështetjen e vazhdueshme në të gjitha fushat nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se është e përkushtuar për të forcuar këtë partneritet.

Ai këto komente i bëri gjatë një takimi me senatoren nga shteti i Iowa-s, Joni Ernst, të cilën e falënderoi për përkrahjen dhe ndihmën dhënë Kosovës, në veçanti për atë në zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Senatorja amerikane, përgëzoi kryeministrin dhe institucionet e Kosovës, për punën në avancimin e agjendës euroatlantike. Ajo shprehu mbështetjen e saj për Republikën e Kosovës në të gjitha fushat zhvillimore, veçanërisht për Programin e Partneritetit Kosovë- Iowa, që këtë vit përmbushë një dekadë.

Misioni i përbashkët i Forcës së Sigurisë së Kosovës me Gardën Kombëtare të Iowa-s, në zbarkimin e përbashkët në Kuvajt, u vlerësua për kontributin në paqen dhe sigurinë globale, por edhe për promovimin e Kosovës si aktor të përkushtuar për stabilitet afatgjatë.

Në takim u bisedua për rritjen e bashkëpunimit mes Kosovës dhe shtetit të Iowa-s, përtej partneritetit ushtarak, edhe në fusha të tjera, si bujqësia, arsimi dhe tregtia.

Senatorja Ernst gjatë ditës është takuar edhe me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca/RTK/.