Kurti: Javën e ardhshme do të kemi emrin e ministrit të Shëndetësisë

Kanë kaluar më shumë se dy muaj prej kur është kërkuar emri i udhëheqësit të Ministrisë së Shëndetësisë që prej dorëheqjes së Rifat Latifit më 6 tetor.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti para mediave tha se emrin e ministrit apo ministres do ta tregojë në fillim të javës së ardhshme.

“Po ne duhet të marrim një vendim lidhur me Ministrinë e Shëndetësisë, përkatësisht me emrin që do të jetë aty dhe këtë do ta bëjmë para vitit të ri madje qysh në fillim të javës së ardhshme. Duhet të keni durim pak ditë, jo më shumë se tri ditë ose 72 orë po i bien ndoshta edhe më pak” – ka deklaruar Kurti.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi ishte dorëhequr nga pozita e tij në tetor të këtij viti, ndërkaq kompetencat e tij i kaluan zëvendës ministres, Dafina Gexha-Bunjaku.

KALLXO.com kishte raportuar më 1 dhjetor 2022 se kryeministrit, Albin Kurti iu deshën më pak se 1 muaj për të zëvendësuar pozitën e ministrit për Komunitete dhe Kthim, që mbeti bosh pas dorëheqjes së Goran Rakiqit, por nuk po i mjaftuan atë kohë, 56 ditë për të zëvendësuar Rifat Latifin, në krye të ministrisë të Shëndetësisë.

Për mos emërimin e ministrit të ri të Shëndetësisë dhe menaxhimin me këtë sektor, Qeveria Kurti në vazhdimësi është kritikuar nga partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës, ku edhe është mbajtur debat parlamentar lidhur me gjendjen në këtë sektor.

Udhëheqësit ‘më të kërkuar’ në Kosovë më 2022