Kurti: Janë të mirëseardhura sanksionet ndaj grupit të Veselinoviqit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e mirëpritur vendimin që Millan Radoiçiq, Zvonko Veselinoviq dhe 11 serbë të tjerë nga Kosova, janë vënë në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të ShBA-së më 8 dhjetor.

Kryeministri Kurti pas një konferencë të organizuar nga USAID-i, “Arritja dhe sfidat në prokurim publik në Kosovë” që u mbajt me rastin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, në Prishtinë, ka folur para mediave për këtë vendim dhe ka shtuar se në vijim, sistemi i drejtësisë tonë t’i përcjellë me vëmendje të gjitha vendimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe që në të ardhmen të jenë të sanksionuar, hetuar, gjykuar e dënuar edhe këtu tek ne.

“Ne e kemi mirëpritur, është një vendim shumë i mirëseardhur, i cili po tregon që krimi dhe korrupsioni nuk duhet të ketë vend, jo vetëm në vendet e BE-së, por në çdo vend që aspiron që të bëhet anetër i BE-së si puna e Kosovës. Por, ajo çfarë duhet të bëhet në vijim, e kjo është punë e jona, është që sistemi i drejtësisë t’i përcjellë me vëmendje të gjitha vendimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që kanë informacion të bollshëm, në mënyrë që ata të mos kenë vetëm sanksione nga SHBA-ja, por të jenë të sanksionuar, hetuar, gjykuar e dënuar edhe këtu tek ne”, tha Kurti.

Kurti është pyetur nga mediat se a mund të dërgojë FSK-ja ushtarë në konfliktin Ukrainë-Rusi dhe Kurti është përgjigjur që nëse kërkon NATO, janë të gatshëm ta dërgojmë FSK-në në Ukrainë.

“Së pari uroj që mos të ketë konflikte të reja, edhe unë jam duke e përcjellë me vëmendje deri në orët e vona se çfarë po ndodhë në kufirin midis Ukrainës dhe Federatës Ruse. Ka një alarmim edhe të NATO-s, në veçanti të SHAB-ve por edhe të BE-së për këtë gjë. Çka do që NATO e parasheh të nevojshme, ne natyrisht që jemi të gatshëm”, theksoi ai.