Kurti: Burimi kryesor i pasurimit të pajustifikuar e të paligjshëm është pikërisht përmes kontratave të korruptuara

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurtin në diskutimin për prokurimin publik, numëroi tri probleme të cilat, tha se do të trajtohen me përpikëri vitin që vjen. Ato probleme sipas tij janë: strukturore, ligjore dhe profesionale e funksionale.

“Do të mjaftonte një kërkim i thjeshtë në internet për të parë se kostoja e printimit me ngjyrë kushton më shumë se printimi me vetëm ngjyrë të zezë. Njëjtë siç nuk duhet të fitojë kontratën një operator i cili oferton  për “larjen (pastrimin) gjenerale” të makinave të vendos çmime më të ulëta se për “larjen e thjeshtë”. Këto kontrata kanë ndodhur dhe janë shpërblyer nga institucionet dhe zyrtarët tanë të prokurimit pa u shpallur të papërgjegjshme. Pra duhet hulumtim i tregut. Duhen kërkesa specifike që nuk lejojnë hapësirë për keqinterpretim”, u shpreh Kurti.

Sipas Kurtit, ka pasurim të paligjshëm, sepse burimi kryesor i pasurimit të pajustifikuar e të paligjshëm është pikërisht përmes kontratave të korruptuara.

“Pasojat nga mos adresimi i këtyre probleme të gjithë i dimë. Ritenderim për punët e njëjta, sepse shkolla prishet pas një viti, nganjëherë dorëzohet me defekte, sepse zyrtari përgjegjës vendos me i mbyllë sytë, uji rrjedhë, ngrohja nuk punon e çatia pikon. Njëjtë sikur asfalti bëhet me gropa pas një dimri, apo e merr vërshimi nga reshjet. Bëhet kështu sepse kualiteti për të cilin ka paguar qytetari me taksat e tij është komprometuar duke kaluar në xhepat e zyrtarëve e të biznesit. Kemi pasurim të paligjshëm, sepse burimi kryesor i pasurimit të pajustifikuar e të paligjshëm është pikërisht përmes kontratave të korruptuara. Favorizim i bizneseve të lidhura me zyrtarë e pushtetarë të caktuar, ku kemi pasur biznese të oborrit qeveritar”, tha tutje kryeministri.

Ai premtoi se në vitin e ardhshëm do të shtyjnë përpara në një reformë e cila duhet të jetë në harmoni me direktivat e BE-së.

“Këto janë vetëm disa nga gjërat që ne duhet t’i adresojmë me urgjencë dhe për të cilat në vitin që vjen ne si kabinet do të shtyjmë përpara në kuadër të një reforme e cila duhet të jetë në harmoni me direktivat e Bashkimit Evropian për prokurimin publik, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët dhe institucionet tjera relevante dhe me pjesëmarrje të plotë të shoqërisë civile”, u shpreh mes tjerash Albin Kurti.

Këto deklarata Kurti i bëri sot në ngjarjen “Arritja dhe sfidat në prokurim publik në Kosovë” që po mbahet me rastin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, në Prishtinë.