Kurti i shpeshton takimet me komandantin e KFOR-it

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti është takuar sot me komandantin e KFOR-it në Kosovë, Gjeneral Major Michele Risi.

Kurti dhe Gjeneral Risi kanë diskutuar për sigurinë në vend dhe për marrjen e masave për luftimin e virusit COVID-19.

“Diskutuan mbi gjendjen e sigurisë në vend me rastin e përhapjes së virusit Corona, dhe masave të vazhdueshme që Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndërmarrë për parandalimin e përhapjes së mëtutjeshme të pandemisë COVID-19”, thuhet në reagimin e Qeverisë.

Sipas komunikatës së Qeverisë, komandanti Risi ka shprehur mirënjohje për bashkëpunimin mes Qeverisë dhe KFOR-it.

“Komandanti Risi, shprehu mirënjohje për bashkëpunimin mes Qeverisë dhe KFOR-it dhe gatishmërinë për ta thelluar atë. Ai nënvizoi se përballë sfidës me të cilën po ballafaqohemi, bashkëpunimi ndërinstitucional është i patjetërsueshëm dhe se ruajtja e sigurisë në Republikën e Kosovës është qëllim i përbashkët”, thuhet në fund të komunikatës së Qeverisë.