Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kurti: Gjasat janë që nga lista jonë të bëhen deputetë më shumë se 65 emra

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti në fjalimin e tij në mbledhjen XLII të Këshillit të Përgjithshëm, ka thënë se partia e tij mund t’i ketë deri në 65 deputetë në legjislaturën e ardhshme.

“Zgjedhjet janë shumë pranë, gjasat janë që nga lista jonë të bëhen deputetë madje edhe më shumë se 65 emra. Ky është një lajm i mirë por ekziston edhe një fenomen për të cilin duhet të kemi kujdes. Nuk bënë të ulim standardin e listës e as të Kuvendit”, ka thënë ai.

Ende nuk është caktuar data e zgjedhjeve të reja pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila shkarkoi Qeverinë Hoti dhe urdhëroi mbajtjen e zgjedhjeve të reja brenda 40 ditësh.

Pas takimeve të u.d. të presidentes, Vjosa Osmani, me partitë politike, si data të përshtatshme janë përmendur fundi i janarit dhe fillimi i shkurtit.