Albin Kurti-Kadri Veseli-Ramush Haradinaj

Kurti fton Veselin e Haradinajn në takim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ftuar në takim për të biseduar mbi programin qeverisës dhe tema tjera për vendin, kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Në letrën të cilën e ka siguruar KALLXO.com, e të cilën Kurti ia ka dërguar Veselit të premten, thuhet se takimi ka për qëllim bashkëbisedimin për disa tema për vendin.

“Më lejoni që t’ju ftoj në takim për të bashkëbiseduar mbi programin tonë qeverisës dhe sfidat që i kemi në shtetndërtimin demokratik, zhvillimin socio-ekonomik dhe politikën e jashtme në Republikën e Kosovës”, thuhet në letrën që Kurti ia ka dërguar Kadri Veselit.

Për takimin e mundshëm, Kurti ia ka caktuar edhe orarin për katër ditë.

KALLXO.com ka pyetur zëdhënësin e PDK-së, Avni Bytyqi, nëse Veseli i është përgjigjur Kurtit rreth takimit, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar përgjigje.

Ndërsa, të premten pasdite, ish-kryeministri, Ramush Haradinaj tha se e ka refuzuar ftesën për takim nga kryeministri Kurti.

“Zoti Kurti sot më ka dërgu një letër urgjent në parlament për takim, dje ka dalë në konferencë për shtyp e ka lajmëru vendimin për temën të cilën unë iu kam drejtu kushedi sa herë publikisht, ai sot më dërgon mua letër e kërkon takim edhe i jep oraret i jep datat”, deklaroi Haradinaj.

“Ju kam drejtuar disa herë publikisht ju nuk keni gjetur kohë ose nuk e keni parë të rëndësishme për të më ftuar për konsulltë për një temë për të cilën realisht kam kontribuar edhe pasi që ke marrë vendimin kërkooni takim sa për sy e faqe kjo është ma shumë se ofendim”, kishte thënë Haradinaj duke shtuar se ftesa është dashur të bëhet para vendimit, jo vetëm me të, por edhe me partitë tjera.

Haradinaj refuzon të takohet me Kurtin