Kurti fillon takimin me Lajçakun dhe Escobarin

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka filluar një takim me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Në takim po ashtu është pritur edhe Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Takimi është i mbyllur për media, të cilat janë lejuar të marrin pamje vetëm nga oborri i ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Kurti, edhe dje, të hënën, është takuar me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Pas takimit është thënë se është diskutuar për situatën në veri të vendit dhe raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas komunikatës së Qeverisë, gjatë takimit është theksuar se barrikadat në rrugë duhet të largohen menjëherë.

Escobar u takua të hënën edhe me presidenten Vjosa Osmani.

Vizita e Gabriel Escobar në Kosovë vjen në kohën kur situata në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – është e tensionuar.

Disa serbë lokalë atje, qysh më 10 dhjetor, ngritën barrikada dhe bllokuan rrugët që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.