Kurti: Ekziston rreziku për valë të re të COVID-19 gjatë festave të fundvitit, kur vijnë mërgimtarët

Kryeministri, Albin Kurti, ka thënë se situata me pandeminë në Kosovë është më e qeta në Evropë, por ka tërhequr vërejtjen se rastet mund të rriten gjatë festave të fundvitit, kur në vend pritet të vijnë mërgimtarët.

“Fillimi i dhjetorit na gjen me një situatë më të qetën në të gjithë Evropën. Këtë rezultat e kemi arritur të gjithë së bashku, megjithatë rreziku për një valë të re na detyron që të rrisim vigjilencën… Festat e fundvitit në Kosovë shoqërohen me ardhjen e mërgatës nga jashtë. Ky shtim i përkohshëm i popullsisë  bashkë me grumbullimet festive rrit dukshëm mundësinë e ngjarjeve super-shpërndarëse, duke paraqitur rrezik për jetën dhe shëndetin jo vetëm të banorëve të Kosovës por edhe të vetë mërgimtarëve”, tha ai.

“Së dyti, situata nëpër Evropë vazhdon të jetë tejet e rëndë sikur në Gjermani dhe Zvicër, ardhja nga këto vende të mërgatës mund të rrezikojë situatën në Kosovë. Ditëve të fundit është shfaqur edhe  një variant  i ri, duke përfshirë 18 vende evropiane. Varianti i ri po përhapet dy herë më shpejt sesa varianti Delta dhe rrit mundësinë e valës së re”, shtoi ai.

Ndërkaq Kurti tha se në rast të zbutjes së situatës do të zbuten edhe masat ndërsa ka bërë thirrje për kujdës dhe vaksinim.

Kurti këto deklarata i bëri në një konferencë për shtyp me ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi.