Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kurti: Dialogu Kosovë - Serbi nuk ka qenë asnjëherë më transparent

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot gjatë seancës së Kuvendit i është përgjigjur pyetjeve parlamentare të deputetes së PDK-së, Ariana Shoshi- Musliu, lidhur me procesin e dialogut, propozimin franko-gjerman dhe Asociacionin.

Teksa është kundërpërgjigjur kritikave të Musliu-Shoshit lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, Kurti ka thënë se procesi i dialogut nuk ka qenë asnjëherë më transparent se sa në qeverisjen e tij.

“Për bindjen time të fuqishme dialogu Kosovë-Serbi nuk ka qenë asnjëherë më transparent, që prej rifillimit të tij, ne kemi qenë transparent ndaj qytetarëve dhe publikut, kemi treguar gatishmëri për komunikim korrekt më partitë opozitare, por edhe kemi treguar kujdes e maturi ndaj procesit të dialogut duke mos e dëmtuar atë e interesat tona”-ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se pas çdo takimi të nivelit të lartë politikë, publiku është informuar për qëndrimet dhe propozimet e palës kosovare.

Kurti ka cekur se në qershor të vitit të kaluar ka bërë publike katër propozimet e tij në takimin e 15 qershorit.

Lidhur me asociacionit të komunave me shumicë serbe, Kurti edhe sot ka thënë se kjo pyetje është e vjetër dhe se qëndrimi i tij është tashmë i njohur dhe i qartë.

“Sa i përket qëndrimit tonë lidhur me marrëveshjen e e asociacionit të komunave me shumicë serbe, apo të Zajednicës, ky është i njohur dhe është i qartë, në një çështje për të cilën jam përgjigjur pa numër herë nuk kam përgjigje të re sepse pyetja është e vjetër. Marrëveshja për asociacionin e komunave serbe nuk e ka kaluar testin e gjykatës kushtetuese që e ka shpallur atë jo kushtetuese”- ka thënë Kurti.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu Shoshi teksa ka thënë se nuk e posedojnë as edhe një faqe shpjegim lidhur me atë se ku është procesi i dialogut aktualisht, ajo ka kërkuar nga Kurti informacione lidhur me propozimin franko-gjerman.

“Unë i kam pasur në takim liderët e tri partive opozitare, ku kemi diskutuar edhe për atë përmbledhje të propozimeve, ideve opsioneve që njihet si propozim franko-gjerman. Në njërën anë i përmbahem transparencës se procesit në anën tjetër konfidencialitetit. Besoj qe qëndrimi jonë ka qenë i drejtë”- është përgjigjur kryeministri Kurti.