Angela Merkel dhe Albin Kurti, Foto: Facebook

Kurti deklarohet pas takimit me kancelaren Merkel dhe liderët e rajonit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dalë me një deklarim para mediave pas takimit me kancelaren gjermane Angela Merkel dhe drekës së përbashkët me liderët e rajonit.

Ai tha se Procesi i Berlinit është rruga e vetme drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe nuk ka nevojë për variante tjera.

“U konfirmua se procesi i Berlinit është edhe korniza edhe rruga për integrimin e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Procesi i Berlinit është mjaftueshëm i gjerë që të mos ketë nevojë për variante të tjera”, ka thënë Kurti.

Kurti po ashtu potencoi se duhet që investimet e Bashkimit Evropian duhet të fokusohen në disa fusha.

“Sa i përket investimeve evropiane, theksova se për vendet tona janë katër elemente të domosdoshme, në mënyrë që të ketë paqe të qëndrueshme. Ato janë: Sundimi i ligjit, i cili vepron kundër korrupsionit dhe oligarkëve, demokratizimi që mundëson media të lira dhe të pavarura dhe vepron kundër autokratëve, ballafaqimi me të kaluarën që nuk lejon kriminel të luftës të jenë në liri e aq me pak në pushtet dhe si fund, reciprociteti i të drejtave të pakicave”, shtoi Kurti.

Sa i përket raportit me Serbinë, Kurti tha se statusi i Kosovës nuk është i diskutueshëm dhe se Kosova nuk mund të kthehet para vitit 2008.

“Sa i përket raportit mes Kosovës dhe Serbisë, ato zhvillojnë dialog për statusin e marrëdhënieve me njëra-tjetrën, statusi i Kosovës nuk është i diskutueshëm. Kosova nuk mund të kthehet pra vitit 2008 kur e ka shpallur pavarësinë”, tha Kurti.

Sipas tij, marrëdhëniet e mira nuk mund t’i kompensojmë as me shtetësi e as me territor, për humbjet që i shkaktoi Millosheviqi, Serbisë.

Kurti tutje shtoi se, krimet e Serbisë ndaj Kosovës nuk duhet të harrohen duke potencuar se para pak javësh, presidenti Vuçiq mohoi masakrën e Reçakut.

“Krimet nuk do i harrojmë kurrë dhe nuk do ndalemi për kërkim të drejtësisë. Para tri javësh presidenti i Serbisë e mohoi masakrën e  Reçakut në Kosovë. Mospranimi i Kosovës dhe krimeve të Serbisë nuk janë dy gjëra të ndryshme”, shtoi tutje Kurti.

Lidhur me akuzat e Edi Ramës se Kosova po bën teori konspirative për projektin ‘Open Balkans’, Kurti tha se nuk e di për çfarë e ka pasur fjalën.

“Nuk e di për çfarë teorie e ka fjalën, është dashur ta pyesni atë. Dallimi mes procesit të Berlinit dhe Ballkanit të hapur është se aty nuk e keni BE-në”, tha ai.

Sipas Kurtit, çfarëdo mirëkuptimi ndaj Serbisë për mos njohjen e pavarësisë së Kosovës na kushton dhe nuk ka vend një mirëkuptim i tillë.

Kurti potencoi se shpejt do mbahet një takim mes dy qeverive shqiptare lidhur me gjërat që na bashkojnë.

“Sapo të formohet qeveria në Shqipëri do nisim iniciativën për takimin e dy qeverive tona dhe kemi shumë gjëra që na bashkojnë”, tha Kurti.

Kryeministri tutje shtoi se Merkel nuk i ka kërkuar të bëhet pjesë e projektit ‘Open Ballkan’.

“Angela Merkel nuk më ka kërkuar që të bëhem pjesë e projektit ‘Open Balkan’ ne nuk e konsiderojmë interes të bëhemi bashkë më një vend që nuk na njeh.

Kurti theksoi se për raporte nuk duhet të ndryshojë Kosova por Serbia, nuk duhet të bëhet trysni mbi Kosovën por mbi Serbinë dhe sipas tij,  bëjnë gabim ata që mundohen ta ndërtojnë një trysni mbi Kosovën.

Sipas Kurtit,  është detyrë e secilit shqiptar që ta ushtrojë këtë trysni mbi Serbinë.

Kurse, Marrëveshjet nga procesi i Berlinit janë zvarritur pasi Serbia nuk ka  dëshiruar asnjë fjalë që aludon në shtetësinë e Kosovës.

Lidhura me hapjen e arkivave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kurti potencoi se, çkado që ka pasur UÇK është në arkivin e shtetit të Kosovës.

“Çkado që ka pasur UÇK është në arkivin e shtetit të Kosovës. Shtet më të mbikëqyrur se Kosova, në Ballkan dhe jo vetëm, nuk ka. Kur themi se duhet të hapen arkiva, duhet të hapen në Beograd sepse Serbia nuk kas pasur protektorat ndërkombëtar si Kosova”, tha Kurti.