Kurti bisedon me kryetarët e Bujanocit dhe Preshevës, shpreh gatishmërinë për t’i mbështetur

Kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti, sot pasdite ka zhvilluar dy biseda telefonike, njërën me kryetarin e Komunës se Bujanocit, Shaip Kamberi dhe tjetrën me kryetarin e Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi.

Sipas njoftimit të Qeverisë, Kamberi dhe Arifi e njoftuan kryeministrin Kurti mbi menaxhimin e situatës me coronavirusin.

“Deri me tani janë tre të infektuar në Bujanoc, kurse asnjë i infektuar në Preshevë. Autoritetet lokale të të dy komunave janë të përkushtuara në luftimin e pandemisë COVID-19 për gjithë qytetarët e saj”, citohet ta kenë njoftuar kryetarët kryeministrin Kurti.

Në emër të Qeverisë së Kosovës, kryeministri Kurti dy kryetarëve ua shprehu gatishmërinë e mbështetjes socio-ekonomike dhe humanitare.

Për të konkretizuar përkrahjen me kryetarët Shqiprim Arifi dhe Shaip Kamberi do të komunikojë edhe ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi.