Kurteshi - pjesëmarrësve në mbledhjen e KQZ: Vendosni maskat ose dilni jashtë

Sami Kurteshi, përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ka kërkuar nga pjesëmarrësit në mbledhje e sotme, që të vendosin maskat ose të dalin jashtë.

Kurteshi i është drejtuar kryeshefit të Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetajt dhe dy kameramanëve të pranishëm në mbledhjen e KQZ-së, duke u kërkuar që të vendosin maskat.

“Z. Ahmetaj dhe ju dy kameramanë, vendosini maskat ose dilni jashtë. Asnjë njeri në sallë nuk duhet me qenë pa maskë. Ne s’po e marrim seriozisht, por po vdesin nga 10 njerëz në ditë. Unë jam shumë i shqetësuar me papërgjegjësinë e njerëzve t’u hy pa maska. Unë po dua t’i mbrojë të tjerët nga vetvetja. I kam marrë dy vaksinat, por jam i shqetësuar. Më falni nuk e mbron mjekrën maska”, ka thënë Kurteshi.

Edhe kreu i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se Kurteshi ka të drejtë, dhe ka kërkuar nga të gjithë të pranishmit në sallën e mbledhjes që të mbajnë maskat.