Kursimi i Qeverisë do t’i siguronte barnat esenciale për një vjet Kosovës

Realizimi i premtimeve, dhe shkurtimi i posteve ministrore do të kursente miliona euro buxhet për tu investuar në të mira publike.

Sipas hulumtimit të institutit GAP, për një mandat të plotë, vetëm nga kursimi do të zgjidhej problemi me barnat esenciale për vendin për të paktën një vjet, furnizim me targa të automjeteve për më shumë se tri vite dhe investime në rrugë e ujësjellës.

Me zvogëlimin e Qeverisë nga koalicioni VV dhe LDK, kursehen mbi 15 milionë e gjysmë euro për një mandat

“Me zvogëlimin e qeverisë sipas premtimeve zgjedhore të partive Vetëvendosje (VV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), të cilat pritet të arrijnë koalicion qeverisës, sipas kalkulimeve të Institutit GAP, buxhetit të Kosovës do t’i kursehen rreth 15.5 milionë euro për një mandat qeverisës.”, thuhet njoftimin e Institutit GAP.

Më tej GAP shpjegon si reduktohet dhe do të shkurtohet numri i posteve ministrore dhe atyre të tjera

“Bazuar në premtimet elektorale, numri i zëvendëskryeministrave pritet të ulet nga 5 në 2. Ndërsa, nga shkurtimi i posteve ministrore nga 21 në 12, bazuar në premtimet e dy partive, zvogëlohet edhe numri i zëvendësministrave dhe këshilltarëve politikë. VV dhe LDK kanë premtuar se do të emërojnë jo më shumë se dy zëvendësministra për ministri, që i bie nga 80+ sa kanë qenë në qeverinë e kaluar të mbeten maksimum 24 zëvendësministra. Me vetëm 12 ministri, numri i këshilltarëve për ministër/re sipas rregullorës në fuqi do të jetë maksimum 7, duke përfshirë këtu edhe këshilltarin/en e lartë të ministrit/es. Ngjashëm, është premtuar që në qeverinë e ardhshme numri i këshilltarëve të kryeministrit/es do të jetë 5, mirëpo për shkak që baza ligjore e plotësuar gjatë mandatit të kaluar lejon që kryeministri/ja të emërojë edhe këshilltarë nga nëntë komunitete në Kosovë, numri total i tyre pritet të mos kalojë 10.”, shton më tej njoftimi.

Sipas këtij Instituti, VV-LDK kanë premtuar se do të shuhen pozitat e koordinatorëve nacionalë, ku në qeverinë e kaluar ishin 4 pozita të tilla me pagë të ngjashme si ajo e postit të ministrave. Ngjashëm, pritet që numri i këshilltarëve të zëvendëskryeministrave të mos jetë më i lartë se i atyre të kryeministrit/es, dhe që mund të ndodh që zëvendëskryeministrat të mbajnë dhe poste ministrore, me gjithsej 12 këshilltarë të tillë.

Duke marr të gjitha këto për bazë, Instituti GAP vlerëson se në një mandat të plotë do të kursehen së paku 15.5 milionë euro në paga dhe shpenzime tjera që ndërlidhen me postet politike në qeveri. Përveç kursimeve, një qeveri më e vogël rrit edhe efikasitetin e koordinimin, shkurton kohën e marrjes së vendimeve, rrit besimin e qytetarëve, si dhe krijon adresa të qarta të përgjegjësisë.

Një vjet barna esenciale për Kosovën mund të sigurohen nga kursimi Qeverisë

Auditori i Përgjithshëm kishte bërë të ditur se Kosova shpenzon mesatarisht 15 milionë euro në vjet për listën esenciale të barnave

“Përkundër një buxheti mesatar vjetor për Listën e Barnave për vitet 2015-2017 që ka qenë rreth 15 milion euro, jashtë kësaj liste vetëm Qendra Klinike Universitare kishte shpenzuar mesatarisht 1.2 milion euro në vit për produkte farmaceutike. Ndërsa, se sa shpenzojnë pacientët nga buxheti i tyre për barna që nuk ofrohen nga institucionet shëndetësore nuk ka asnjë të dhënë në institucionet kosovare”, njoftoi Auditori

Mjetet qe do të kurseheshin nga Qeveria për një mandat të plotë prej katër vitesh, do të mund t’i siguronte Kosovës barnat nga lista esenciale për të paktën një vit të plotë.

Por nëse krahasohet me shpenzimet për barna farmaceutike të QKUK-së për një vit në vlerën e 1.2 milionë eurove atëherë i bie se Qeveria e re e Kosovës, nga kursimi do të arrinte t’ia siguronte buxhetin QKUK-ës vetëm për barna për të paktën 12 vjet.

Me një fjalë, një mandat kursimi do t’i siguronte barnat për QKUK-ën për 12 vite.

Zvogëlimi i Qeverisë  në peshën financiare të kursimit prej 15.5 milionë euro për një mandat është i barabartë me  buxhetin vjetor të Komunës së Istogut dhe Komunës së Drenasit, sa katër herë buxheti i Komunës së Shtërpcës dhe tetë herë buxheti i Komunës së Junikut.

Qeveria humbi fond 12 milionësh nga BE-ja, po aq sa pagat që do t’u hiqen  

Për një mandat te plotë qeverisës, nga shkurtimi i shpenzimeve për paga për poste ministrore parashihen të kursehen 12 milionë euro apo nga 3 milionë euro çdo vit.

Sa shpenzimi 12 milionësh për pagave ishte shuma e mjeteve të Bashkimit Evropian që Kosova kishte humb nga mosrealizimi i projektit që kishte të bënte me trajtimin e  mbetjeve të rrezikshme toksike.

Në muajin qershor të sivjetmë u mor vesh se Kosova humbi 12 milion euro mjete, të cilat kishin të bënin me ndërtimin e deponisë së mbeturinave të rrezikshme në Kosovë dhe në pamundësi të gjetjes së një lokacioni për ndërtimin e këtij objekti, BE anuloi projektin.

Lidhur me këtë anulimin të projektit nga Bashkimi Evropianë kishte reaguar Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) duke shprehur shqetësim për humbjen e fondit prej 12 milionë euro nga BE-ja, që i dedikohej ndërtimit dhe menaxhimit të mbetjeve toksike.

“Humbjet e tilla të fondeve IPA nuk kanë vetëm peshë financiare, por, më së shumti, kontribuojnë në dëmtimin e imazhit të Republikës së Kosovës si një partner serioz në procesin e integrimit. Duhet të rikujtojmë që nëpërmjet këtij vendimi, Kosova humbi 12 milion euro investim për të përmirësuar mjedisin dhe jetën e qytetarëve të Kosovës. Këto fonde ishin donacion që BE-ja i ka dedikuar Kosovës, kurse institucionet e Kosovës, së paku, është dashur të jenë falënderuese dhe të çmojnë ndihmën e drejtpërdrejtë për Kosovën dhe të ardhmen e saj”, thuhet në reagimin e GLPS-së”, citohet të ketë thënë.

Për dallim nga 12 milionëshi i humbur nga Qeveria. Misioni USAID në Kosovë në kuadër të aktivitetit “Qeverisja Lokale Efektive në Kosovë” ofroi mbështetje 12 milionë euro për 14 komuna të Kosovës, me qëllim të përmirësimit dhe rritjes së transparencës së qeverisjes lokale.

Komunat përfituese nga ky projekt ishin komunat: Dragash, Graçanicë, Istog, Klinë, Kllokot, Leposaviq, Mitrovicë Veriore, Novobërd, Obiliq, Partesh, Ranillug, Shtërpcë, Zubin Potok dhe Zveçan.

Nga shkurtimi shpenzimeve ‘drekave qeveritare’, mund të ndërtohen deri në 10km rrugë

Si pjesë e kursimeve nga zvogëlimi i Qeverisë janë edhe shkurtimi i shpenzimeve për ushqimin e zyrtarëve në poste ministrore.

Me zvogëlimin e Qeverisë, për një mandat të plotë qeverisës, shpenzimet e ushqimit do të kursehen për 1 milionë e 392 mijë euro apo 348 mijë euro çdo vit.

Nga kursimi i shpenzimeve të ushqimit, me logjiken e ndërtimit të rrugëve, do të mund të ndërtoheshin deri në 10 kilometra rrugë po aq sa i kushtoi ndërtimi i një rruge në Komunën Rahovec Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit.

Në muajin gusht të sivjetmë, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit kishte zhvilluar aktivitetin e prokurimit i cili kishte rezultuar me nënshkrim të kontratës në vlerë prej 1.4 milionë euro. Përmes kësaj kontrate parashihej ndërtimin e rrugës që lidh tri fshatrat e kësaj komune, Xërxë – Sapniq – Ratkoc.

Sipas MIT, ndërtimi i kësaj rruge 10 kilometrash përfshinë, ndërtimin e trotuarit, shtegut të çiklistëve dhe ndriçimin publik.

Kursimi i karburantit sa buxheti për festën e pavarësisë

Zvogëlimi i Qeverisë prek hiç më pak se 607 mijë e 20 euro shpenzime të karburantit. Shumë kjo që është e përafërt me mjetet që Qeveria e Kosovës kishte ndarë për kremtimin e festës së pavarësisë.

Në muajin shkurt të vitit të kaluar, Qeveria mori vendim t’i ndaj 600 mijë euro për shënimin e 10 vjetorit të pavarësisë.

Gjithashtu me një kursim të tillë për këto mjete që do të lirohen nga konsumi derivateve, mund të ndërtohen deri në 7 kilometra rrugë në përmasat e rrugës Bardhaniq-Dashinoc të Komunës së Gjakovës.

Kursimet në telefona, mund t’i sigurojnë targat e automjeteve për tri vite

Shkurtimi i pozitave ministrore me Qeverinë pritet të ndikoj edhe te shpenzimet në telefona.

Sipas vlerësimeve të institutit GAP, në telefona do të kursehen hiç më pak se 1 milionë e 402 mijë e 80 euro. Në këtë shumë bëjnë pjesë kursimet nga përdorimi i telefonave mobile prej 910 mijë e 80 euro dhe telefonave fiks në vlerë 492 mijë euro.

Vetëm nga kursimi i shpenzimeve në telefona mobil me mjetet e liruara do të arrinin të ndërtonin një shtëpi të kulturës në përmasa të asaj të Komunës së Obiliqit.

Sa për rikujtim, tri vite më parë Komuna e Obiliqit në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) kishin nënshkruar një memorandum bashkëpunimi në vlerë prej 920 mijë eurove për ndërtimin e shtëpisë së Kulturë në Komunën Obiliqit.

Tutje, kursimi në përdorim të telefonave fiks, mund të siguroj investime gjysmë milionëshe në ujësjellës, aq sa i kushtoi Komunës së Gjilanit investimi për pjesën më të madhe të qytetit dhe fshatrave.

Në muajin gushtë të vitit të kaluar, në Komunën e Gjilanit filloi implementimi i projektit të rrjetit të ri të ujësjellësit që përfshinë një pjesë të madhe të zonës urbane por edhe fshatrave të Gjilanit me kosto prej 500 mijë eurove.

Nëse shpenzimet në telefona llogarite si tërësi atëherë shuma e kursyer e mjeteve do të mund të siguronte furnizimin me targa për të gjitha automjetet e Kosovës në kohëzgjatje prej tri vitesh.

Përmes platformës së prokurimit “e-prokurimit”, Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë të ditur se përzgjedh kompaninë fituese për kontratë për tu furnizuar me targa për automjete. Sipas njoftimit të publikuar, furnizimi me targa për automjete për tri vite,  buxhetit të Kosovës do t’i kushtoj mbi 1.4 milionë euro me një kontratë me kohëzgjatje prej tre vjetësh.

Mbi 1.4 milionë euro është edhe investimi që Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit ka në Komunën e Gjilanin për ndërtimin e Verbicë e Zhegovcit – Sllovi e Lipjanit.