Ndriçimi publik

Komuna e Podujevës ndal ndriçimin publik për të kursyer rrymë

Komuna e Podujevës ka njoftuar se ka marrë vendim që për një kohë të pacaktuar të ndalet ndriçimi publik jashtë zonës urbane të komunës, me qëllim të kursimit të energjisë elektrike.

Sipas njoftimit, kjo do të bëhet deri në përmirësim të situatës me energji elektrike në Kosovë.

“Duke qenë të vetëdijshëm për krizën energjetike në të cilën ndodhet vendi me reduktimet e shpeshta të energjisë elektrike dhe shpalljes së gjendjes emergjente të energjisë elektrike nga ana e Qeverisë së Kosovës, kam marrë vendim që për një kohë të pacaktuar (deri në përmirësim të situatës) të ndalet ndriçimi publik jashtë zonës urbane të komunës, me qëllim të kursimit të energjisë elektrike për ekonomitë familjare”, thuhet në njoftimin e kryetarit të Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi.

“Duke uruar e shpresuar të përmirësohet shpejt situata e energjisë elektrike në vendin tonë, ju lus për mirëkuptim”, përfundon njoftimi i kryetarit Bulliqi.

Qeveria e Kosovës ka shpallur 60 ditë gjendje emergjente për furnizim me energji.

Sipas vendimit të qeverisë, masat emergjente në furnizim me energji përfshijnë: Vendosjen e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorët, dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë.

Kosova është duke u përballur prej ditësh me krizë energjetike.

Për shkak të kësaj krize energjetike qytetarët, nga 22 dhjetori përballen me reduktime të energjisë elektrike.

Fatura e energjisë elektrike në Kosovë mund të shtrenjtohet për 7 për qind në muajt e ardhshëm. Një rritje të tillë e ka kërkuar Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS).

Që nga 14 dhjetori, Njësia B2 e termocentralit “Kosova B” është jashtë funksionit. KEK-u aktualisht është duke prodhuar me tri njësi prodhuese të termocentralit “Kosova A” (A3, A4 dhe A5, me kapacitet neto prej rreth 400 MW/h energji elektrike) dhe me njësinë B-1 (me kapacitet neto prej rreth 255 MW/h, energji elektrike).

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka nënshkruar një kontratë në vlerë 248,650 mijë euro për angazhimin e ekspertëve për inspektimin dhe riparimin e dëmeve të krijuara nga avaria në turbinën e shtypjes së ultë në Njësinë B2 të Termocentralit B.

Fituese e kontratës është “GE Steam Power Service France Representative Office in Kosovo” dega në Kosovë, me të cilën është nënshkruar kontrata përmes procedurës së negocuar më 23 dhjetor.