Sheshi para Qeverise dhe Kuvendit të Kosovës - FOTO: KALLXO

GLPS: Për shkak të paaftësisë dhe neglizhencës Qeveria humb 12 milionë euro fonde nga BE

 

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka shprehur shqetësim për humbjen e fondit prej 12 milionë euro nga BE-ja, që i dedikohej ndërtimit dhe menaxhimit të mbetjeve toksike.

Sipas GLPS-së, humbja e fondeve IPA të Bashkimit Evropian, është tregues i mënyrës se si Kosova po e pozicionon veten e saj në politikën e zgjerimit të BE-së.

“Humbjet e tilla të fondeve IPA nuk kanë vetëm peshë financiare, por, më së shumti, kontribuojnë në dëmtimin e imazhit të Republikës së Kosovës si një partner serioz në procesin e integrimit. Duhet të rikujtojmë që nëpërmjet këtij vendimi, Kosova humbi 12 milion euro investim për të përmirësuar mjedisin dhe jetën e qytetarëve të Kosovës. Këto fonde ishin donacion që BE-ja i ka dedikuar Kosovës, kurse institucionet e Kosovës, së paku, është dashur të jenë falënderuese dhe të çmojnë ndihmën e drejtpërdrejtë për Kosovën dhe të ardhmen e saj”, thuhet në reagimin e GLPS-së.

GLPS në reagimin e tyre, kanë shkruar se ky fond në vetvete ka përfshirë edhe ndihmën e ekspertëve ndërkombëtar për të planifikuar dhe menaxhuar mbetjet toksike të shpërndara në gjithë territorin e Kosovës, që nuk menaxhohen nga institucionet përkatëse dhe janë rrezik i përditshëm për jetën qytetare.

“GLPS shpreh zhgënjimin e thellë me veprimin dhe paaftësinë e institucioneve të Kosovës për të kuptuar rëndësinë e ndihmës financiar të ofruar në këtë rast, si dhe dështimin e tyre për t’u angazhuar që Kosova të ketë mundësi të përfitoj projekte të tilla në të ardhmen. Kjo qasje përveç që është dështim për të kuptuar rëndësinë e mbrojtjes së ambientit, e njëjta është tregues që institucionet e Kosovës nuk ka kapacitetin minimal për të përfituar nga donacionet e huaja”, përfundon reagimi i GLPS.