Auditori gjen mangësi në menaxhimin e listës esenciale të barnave

Zyra e Auditorit të Përgjithshëm përmes auditimit të menaxhimit të listës esenciale ka gjëtur se lista  nuk është përditësuar që nga viti 2013 dhe ekziston rreziku që barna të rëndësishme dhe me kosto efektive mos të jenë në këtë listë.

“Rreth 30% e barnave nuk porositen asnjëherë, ndërsa ka barna të rëndësishme të cilat janë kërkuar në vazhdimësi mirëpo nuk janë përfshirë në listën esenciale. Ky auditim ka konkuludar mangësi në të gjithë procesin e menaxhimit të listës esenciale të barnave duke filluar nga planifikimi, shpërndarja dhe monitorimi i këtij procesi nga institucionet shëndetësore. Planifikimet fillestare janë ndryshuar pa analiza përkatëse dhe si pasojë një bar vital është reduktuar deri në 74% nga plani fillestar” thuhet në komunikatën e ZAP.

Sipas tyre gjendje jo më e mirë është edhe tek shpërndarja e barnave, ku për shkak të mos përcjelljes së afatit të përcaktuar në kontratat e furnizimit me barna ka ndodhur që të ketë vonesa në dorëzim deri në 240 ditë pas afatit të paraparë. Si pasojë e mungesës së monitorimit të duhur të procesit të planifikimit dhe shpërndarjes së barnave nga Institucionet përgjegjëse, dobësitë e njëjta janë përsëritur çdo vit.

“Përkundër një buxheti mesatar vjetor për Listën e Barnave për vitet 2015-2017 që ka qenë rreth 15 milion euro, jashtë kësaj liste vetëm Qendra Klinike Universitare kishte shpenzuar mesatarisht 1.2 milion euro në vit për produkte farmaceutike. Ndërsa, se sa shpenzojnë pacientët nga buxheti i tyre për barna që nuk ofrohen nga institucionet shëndetësore nuk ka asnjë të dhënë në institucionet kosovare” thotë ZAP

Besnik Osmani, Auditori i Përgjithshëm, me rastin e publikimit të këtij raporti ka nënvizuar se “Për të siguruar një furnizim më të mirë, Ministria e Shëndetësisë së bashku me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore dhe Shërbimin Spitalor Klinik Universitar duhet të sigurojnë që Lista Esenciale e Barnave të azhurnohet sa më shpejtë në mënyrë që të përfshijë nevojat e pacienteve.

Përveç kësaj këto institucione duhet të sigurojnë një menaxhim më të mirë të planifikimit dhe shpërndarjes së barnave si dhe monitorimit të procesit për të siguruar se barnat janë në dispozicion të pacientëve kur u nevojiten”.