Kuqi: Të gjithë jemi fajtor për gjendjen në Telekomin e Kosovës

Ministri e Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuqi ka folur në seancën e Kuvendit të Kosovës për gjendjen e krijuar në Telekomin e Kosovës pas bllokimit të llogarive.

Kuqi në fjalimin e ti ka thënë se fajtor për këtë gjendje janë të gjithë.

” Të gjithë së bashu jemi fajtor për gjendjen në Telekomin e Kosovës”, ka thënë ai.

Ai tutje ka shtuar se ajo çfarë e pengon është se bordi i cili ka dhënë dorëheqje është frymëzuar nga policia.

“Ne i kemi organet tona gjyqsore, dhe ato vendime nuk mund të kthehen së paku në këtë kohë mbrapa. Ju lutem sot në qoftë se keni rekomandim qoftë edhe ligjor që mund të i ndihmojmë kësaj situate mua më keni afër, do të jemi shumë afër puëntorëve”, ka thënë Kuqi.
Ai tutje ka kërkuar ndihmën e deputetëve dhe hapjen e rrugëve në çështje ligjorë për gjendjen në Telekomin e Kosovës.

“Nuk do të shkoj kjo ndërmarrje në falimentim”, ka përfunduar Kuqi.

Menaxhmenti i Telekomit të Kosovës u ka dërguar letër deputetëve të Kuvendit.

KALLXO.com ka siguruar letrën e Telekomit për deputetët, në të cilën menaxhmenti ka kërkuar nga ta që të hetohet me seriozitet dhe këmngulje kontratën me “Dardofon”, pasi sipas tyre me të cilën ka shumë argument se është dëmtuar rëndë  Telekomi, e me këtë edhe buxheti i shtetit dhe aksionari.

“Mosveprimi me masa urgjente  dhe veprime të shpejta përkitazi me gjendjen në Telekomin e Kosovës rrezikon të sjellë momentin e ndërprerjes së ofrimit të shërbimeve  të komunikimeve elektronike…”, thuhet mes tjerash në letër.

Kuvendi i Kosovës këtë pasdite ka nisur debatin parlamentar për situatën financiare të Telekomit të Kosovës, kërkesë kjo e cila ishte parashtruar nga Lëvizja Vetëvendosje në seancën e kaluar.

Gjatë ditës, Kompania ‘Dardafon.net LLC’, e njohur me emrin tregtar ‘Z-Mobile’ ka folur për herë të parë për bllokimin e xhirollogarive të Telekomit.

Z-Mobile, pronë e Blerim Devollit,  thonë se ata janë pala e dëmtuar në këtë rast, e jo Telekomi.

Gjykata Themelore Prishtinë ia ka njohur të drejtën kompanisë “Dardafone.net LLC” për përmbarimit (realizimin) e borxhit milionësh duke ia refuzuar prapësimin (kundërshtimin) e parashtruar nga Telekomi i Kosovës.

Pas këtij vendimi të Gjykatës kanë pasur reagime të Federatës Sindikale të Pavarur (FSP) të PTK-së, si dhe disa takime me kryeministrin Avdullah Hoti e ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuqi për të gjetur një zgjidhje.

Deri më tash nuk është gjetur asnjë zgjidhje, ndërsa Telekomi i Kosovës ka lajmëruar i janë bllokuar xhirollogaritë nga ana e përmbaruesit.

Dokument – Letra e Telekomit të Kosovës për deputetët