Z Mobile dhe Telekomi i Kosovës

Aktvendimi i Gjykatës Komerciale për rastin Dardafon - Telekom, reagon Telekomi i Kosovës

Telekomi i Kosovës përmes një komunikate për media e ka quajtur “vendim të jashtëligjshëm” aktvendimin e datës 07.06.2024 të Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale në lidhje me kontestin mes Telekomit dhe kompanisë “Dardafon.net”.

Gjykata Komerciale e ka vërtetuar vendimin e Dhomës së Shkallës së Parë në favor të Dardafon.net në çështjen përmbarimore që e njëta kompani ka me Telekomin e Kosovës.

Përveç kësaj, nga Telekomi dyshojnë se vendimi në fjalë paraqet “përpjekje për të legjitimuar një aktivitet kriminal dhe një skemë kriminale”, sipas tyre.

Më tej, në komunikatën e tyre, Telekomi i Kosovës shpreh pakënaqësi për trajtimin e këtij rasti nga ana e gjykatësit të rastit, Dren Rugova, për të cilin shprehen se është treguar “tërësisht i njëanshëm”.

Për shkak të pakënaqësive ndaj gjykatësit Rugova, Telekomi njofton se janë ankuar te kryetari i Gjykatës Komerciale për përjashtimin e gjykatësit Rugova nga rasti, por ankesa e tyre ka rezultuar e pabazuar.

Ata konsiderojnë se me vendimin e gjykatësit Rugova dhe duke u bazuar në vendimin e arbitrazhit për këtë rast, Telekomi do të paguajë dy herë të njëjtin borxh dhe më pas kanë vlerësuar se “prona publike po plaçkitet”.

Si përfundim, nga Telekomi kanë kërkuar nga Policia e Krimeve Ekonomike dhe Prokuroria Speciale që të hetojnë rastin e tyre dhe çdo të përfshirë në këtë rast.

Me aktvendimin e datës 07.06.2024 Dhomat e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale e kanë vërtetuar vendimin e Dhomës së Shkallës së Parë në favor të Dardafon.net në çështjen përmbarimore që e njëta kompani ka me Telekomin e Kosovës.

Aktvendimi i marrë nga gjyqtari Dren Rugova e ka aprovuar pjesërisht ankesën e Telekomit të Kosovës kundrejt vendimit të shkallës së parë të Komerciales së datës 16.02.2024.

Kështu ky aktvendim e ka shfuqizuar pjesën e borxhit prej 282,931.51 € e cila ishte e përfshirë në urdhërin për lejimin e përmbarimit të datës 15.07.2019.

Ndërkohë që ka mbetur në fuqi urdhëri për lejimin e përmbarimit i lejuar nga Përmbaruesi Privat Ilir Mulhaxha, për pjesën e detyrimit në shumën prej 5,449,939.83€ .

Përmes aktvendimit paraprak Komercialja, e kishte detyruar Telekomin e Kosovës që t’ia paguaj “Dardafon”-it shumën prej 5,732,871.34 euro. Obligimi financiar në fjalë ishte urdhëruar të kryhet në afat prej 7 ditësh nën kërcënim të përmbarimit me dhunë.

Me këtë vendim gjithashtu janë refuzuar ankesat e ndërmarrjes publike kundrejt pikave 2, 3, 4 të vendimit paraprak të Komerciales.

Përkatësisht ka mbetur në fuqi refuzimi i tërësishëm i ankesës së Telekomit me të cilën ishte kërkuar që të anulohet si i kundërligjshëm urdhëri i përmbaruesit privat Ilir Mulhaxha i datës 01.11.2022 për kryerjen e pagesës në mënyrë vullnetare në shumën totale prej 6,066,427.51 €, si dhe të shfuqizohen të gjitha veprimet e ndërmarra përmbarimore.

Gjithashtu është vërtetuar hudhja poshtë si e palejuar kërkesa e Telekomit e datës 14.01.2022 me të cilën ishte kërkuar që të caktohet masa e përkohshme e sigurimit dhe pezullimi i procedurës përmbarimore i datës 15.07.2019.

Njëjtë ka ndodhur me pikën 4 e cila kishte hedhur poshtë kërkesën e Telekomit me të cilën kishte kërkuar që të detyrohet kompania e njohur si “Z Mobile “ që deri në përfundimin e procedurës përmbarimore, të deponojë në llogarinë e gjykatës apo në një llogari tjetër të veçantë mirëbesimi, mjetet e inkasuara në vlerën prej 13,116,165.73 €.

Në pikën e fundit të këtij aktvendimi është refuzuar ankesa e Telekomit kundrejt Aktvendimit të Komerciales të datës 15.03.2024, me ç’rast vendimi në fjalë është vërtetuar.

Dhomat e Shkallës së Dytë pas shqyrtimit të aktvendimit të atakuar, pretendimeve ankimore të debitorit dhe shkresave të lëndës, erdhën në përfundim se ankesa e debitorit për parregullsi kundër përmbarimit është e pabazuar, thuhet ndër të tjera në aktgjykim.

Për ta lexuar aktvendimin e plotë të datës 07.06.2024 klikoni këtu.

Raportimet paraprake të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni duke klikuar këtu.

Reagimi i plotë i Telekomit të Kosovës:

Me datë 07 qershor 2024, Telekomi i Kosovës ka pranuar vendimin e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale që lidhet me kontestin e kompanisë Dardafon – Z Mobile (pjesë e Grupit Devolli). Ky vendim, i cili u mor nga gjykatësi i rastit, është një vendim i jashtëligjshëm, me ç‘rast edhe shprehim dyshime të bazuara se paraqet përpjekje për të legjitimuar një aktivitet kriminal dhe një skemë kriminale që ka filluar formalisht në vitin 2009 me nënshkrimin e marrëveshjes korruptive ndërmjet PTK me Dardafon.net; për të vazhduar me Marrëveshjen për kompensim të vitit 2017; Vendimin e Gjykatës Themelore të datës 6 korrik 2020 (tashmë të anuluar nga Gjykata Kushtetuese), si dhe me Marrëveshjen e datës 17 nëntor 2020 të bazuar në këtë vendim të Gjykatës Themelore.

Për rikujtim, edhe në Konferencën për shtyp të datës 19.02.2024, kemi pas deklaruar ”Nga kjo duket sikur bëhet fjalë për një skemë të organizuar, ku do të duket sikur askush nuk mund të jetë fajtor ligjërisht, por realisht do të këtë vetëm një palë të dëmtuar – Telekomi i Kosovës ose paraja publike.”

Telekomi i Kosovës gjatë procesit gjyqësor ka paraqitur fakte se në bazë të marrëveshjes së datës 24 maj 2017 ka kompensuar shumën prej së paku 10,443,038.00 € përmes shërbimeve 3G/4G, fakte këto të cilat nuk janë kontestuar as nga vet pala tjetër. Gjykatësi i çështjes Dren Rogova, përkundër fakteve dhe provave, përkundër dy vendimeve të mëparshme të Shkallës së Dytë, dhe në kundërshtim me vendimin e arbitrazhit, ka refuzuar të përfshijë në llogaritje këtë kompensim. Për bindjen tonë, ky gjykatës në shkelje flagrante të ligjit, si dhe në shkelje flagrante të vendimit të arbitrazhit, mospërfshirjen e kompensimit me shërbime (të parapara me legjislacionin në fuqi), këtë procedurë gjyqësore, është munduar ta maskojë përmes emërimit të ekspertëve, që është dëshmuar se kanë lidhje familjare dhe indirekte të biznesit me palën tjetër, përkatësisht me pronarin e biznesit Dardafon.net, duke tentuar kështu ta shterojë procedurën e marrjes së ekspertizës financiare dhe këtë ta paraqesë si veprim procedural të rregullt.

Për shkak të lidhjeve të ekspertëve me palën tjetër dhe mos caktimit të qartë të detyrave të tyre nga gjykatësi, Telekomi gjatë procesit ka kërkuar definimin e qartë të detyrave të ekspertëve, kërkesë kjo e refuzuar pa të drejtë nga gjykatësi. Meqenëse ekspertëve nuk u janë definuar qartë detyrat dhe meqenëse të njëjtit kishin lidhje me palën tjetër, me të drejtë Telekomi ka kërkuar përjashtimin e këtyre ekspertëve, siç parashihet me ligj. Edhe kjo kërkesë, pa arsyetim të mirëfilltë është refuzuar nga gjykatësi Dren Rogova.

Duke parë që gjykatësi është duke u treguar tërësisht i njëanshëm, Telekomi i është drejtuar Kryetarit të Gjykatës Komerciale me kërkesën për përjashtim të gjykatësit të rastit. Edhe kjo kërkesë tërësisht e bazuar po ashtu u refuzua pa arsyetim të qëndrueshëm nga kryetari i Gjykatës Komerciale.

Të rikujtojmë se më 2020 Gjykata Themelore paligjshëm dhe gabimisht kishte caktuar një vlere të borxhit. Sipas atij vendimi të gabuar, po në vitin 2020 palët kanë nënshkruar një Marrëveshje që borxhi të paguhej me këste, ku Telekomi me nen të Marrëveshjes e ruante të drejtën që vendimin ta ankimojë në nivelet tjera të gjykatave, për të cilën gjyqtari i rastit tani në tersi, në arsyetimin e tij e heshtë.

Gjykata Kushtetuese e kishte aprovuar ankesën e Telekomit duke anuluar vendimin e Gjykatës Themelore mbi bazën e se cilës ishte nënshkruar Marrëveshja e vitit 2020, si dhe çështjen e kishte kthyer në rigjykim.

Baza mbi të cilën gjyqtari Dren Rugova e ka arsyetuar vendimin është pikërisht kjo Marrëveshje e datës 17 nëntor 2020, duke u mjaftuar dhe duke e marrë si fakt të mirëqenë se në këtë marrëveshje palët janë pajtuar për shumën e detyrimit, por duke anashkaluar tërësisht faktin se vendimi në bazë të së cilit ishte nënshkruar marrëveshja (vendimi i Gjykatës Themelore) tashmë ishte anuluar.

Në këtë mënyrë, gjykatësi Dren Rogova refuzoi të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke i marrë të mirëqena efektet e një vendimi gjyqësor, të cilin Gjykata Kushtetuese e kishte anuluar. Telekomi që nga fillimi ishte në dijeni se shuma e detyrimit të caktuar në vendimin e Gjykatës Themelore ishte e pasaktë, pasi që në këtë vendim nuk ishte përfshirë kompensimin i bërë sipas marrëveshjes së vitit 2017. Kjo edhe ishte arsyeja që Bordi dhe Menaxhmenti i Telekomit në korrik të vitit 2020 refuzonin të hynin në një marrëveshje për të paguar një borxh për të cilin ishin në dijeni se nuk ishte i saktë.

Ish-kryeministri i asaj kohe (2020), pas takimeve që kishte mbajtur me pronarët e kompanisë Dardafon, kishte ndërhyrë te Bordi i sapoemëruar, duke insistuar që të nënshkruhet marrëveshje për pagesën me këste të borxhit sipas vendimit të vitit 2020 të gjykatës, e që në atë kohë ishte në fuqi.

Pas kësaj ndërhyrje, Bordi i asaj kohe kishte pranuar Marrëveshjen. Marrëveshje kjo që sipas gjykatësit Dren Rogova nuk mund të kontestohet edhe pse kjo marrëveshje ishte bazuar në një vendim të Gjykatës që më vonë u anulua nga Gjykata Kushtetuese.

Përmes këtij vendimi skandaloz të gjykatësit Dren Rogova, bazuar në vendimin e arbitrazhit, Telekomi i Kosovës po detyrohet të paguajë 10,443,038.00€ dy herë, pra të njëjtin borxh dy herë; njëherë përmes kompensimit sipas Marrëveshjes së vitit 2017 dhe njëherë përmes vendimit gjyqësor të jashtëligjshëm. Përmes këtij vendimi gjyqësor, prona publike po plaçkitet për 10,443,038.00€ dhe nga kjo plaçkitje po përfiton kompania Z Mobile duke inkasuar dy herë të njëjtin borxh.

Duke u bazuar në këto fakte të pakontestueshme edhe nga vetë gjykatat, Telekomi beson se kemi të bëjmë me skemë të organizuar kriminale. Prandaj, i bëjmë thirrje urgjentisht organeve përkatëse, Policisë së Krimeve Ekonomike dhe Prokurorisë Speciale, të fillojnë urgjentisht hetimet në këto drejtime të mundshme, ose ndaj:

1.Kryetarit të Gjykatës Komerciale për mos marrje të veprimeve të duhura ligjore dhe Gjyqtarit të rastit për mospërfillje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese përmes legjitimimit të një marrëveshjeje, e cila ishte bazuar në një vendim të gjykatës tashmë të anuluar nga Gjykata Kushtetuese, dhe shkeljes së vendimit të arbitrazhit; ose

  1. Ish-Bordit të Telekomit dhe ish-Kryeministrit të asaj kohe për lidhje dhe nxitje të lidhjes së marrëveshjes duke pranuar borxh të paqenë (marrëveshja e vitit 2020); ose
  2. Ish-Kryeshefit Ekzekutiv të Telekomit dhe Blerim Devolli për lidhje dhe mosrespektim të Marrëveshjes së vitit 2017 për dhënien e numrave dhe shërbimeve si kompensim. Kompensim ky që edhe tani me ndihmën e skemës së gjyqtarëve të papërgjegjshëm po apstrahohet dhe nuk po llogaritet si shlyerje e detyrimit të dalë nga vendimi i arbitrazhit;

     4.Të gjithë të involvuarve në lidhjen dhe mirëmbajtjen e Marrëveshjes favorizuese ndaj Dardafon.net të vitit 2009;

  1. Përmbaruesit privat Irfan Kërçagu pasi që i njëjti ka inkasuar shumën prej 282,931.51 € përtej vendimit gjyqësor edhe pse ishte vënë në dijeni të këtij fakti para së të realizojë inkasimin e dhunshëm. Kjo shumë e inkasuar përtej vendimit gjyqësor ende nuk është kthyer në llogaritë bankare të Telekomit edhe pse është bërë një kërkesë e tillë. Në këtë mënyrë, Telekomi rrezikohet që kjo shumë e inkasuar përtej vendimit gjyqësor dhe në mënyrë joligjore të mos i kthehet më.

Vetëm hetimi i mirëfilltë i kësaj çështjeje dhe mbajtja përgjegjës e atyre që kanë kurdisur këtë skemë kriminale, me pasojë plaçkitjen e pasurisë publike, ia kthen dëmin e shkaktuar Telekomit të Kosovës.

Telekomi i Kosovës nuk do të dorëzohet përballë zhvatësve, grupeve kriminale dhe veglave të tyre kudo qofshin ata, qoftë edhe në sistemin e drejtësisë. Sikur që tashmë disa herë kemi potencuar, Telekomi i Kosovës, përkundër individëve të inkriminuar brenda sistemit të drejtësisë, vazhdon të besojë në sistemin e drejtësisë, të besojë se e drejta është në anën e Telekomit, dhe do të vazhdojë betejën ligjore për këtë çështje në të gjitha instancat e gjykatave, madje nëse është e nevojshme edhe në gjykatat ndërkombëtare.

Vullneti i Telekomit të Kosovës për drejtësi është shumë më i fuqishëm sesa pangopësia e grupeve kriminale për t’u pasuruar përmes skemave kriminale. Jemi të vetëdijshëm se përballja me këto grupe kriminale nuk është e lehtë, kërkon përkushtim e energji, po aq sa jemi të bindur se në fund e drejta do të triumfojë. 

Dorëzimi përballë skemave kriminale nuk është opsion për Telekomin e Kosovës.