Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kukës, i vë flakën malit, arrestohet në flagrancë nga Policia

Një 47 vjeçar është arrestuar gjatë ditës së sotme nga Policia e Shtetit nën dyshimin se u kap në flagrancë deri sa po i vinte zjarrin malit të Gjallicës.

Policia e Shtetit ka njoftuar se nga i dyshuari kanë sekuestruar një Kallashnikov me dy karikatorë dhe municion luftarak.

Strukturat e Komisariatit të Policisë Kukës pas marrjes së njoftimit se në vendin e quajtur Sasat, në malin e Gjallicës, ka rënë zjarr, menjëherë kanë shkuar në vendin dhe pas disa orësh duke punuar me mjete rrethanore, kanë bërë të mundur vënien nën kontroll të zjarrit dhe më pas shuarjen e tij.

Strukturat e Komisariatit të Policisë Kukës, në vijim të veprimeve për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të zjarrëvënies të qëllimshme apo nga pakujdesia, bënë të mundur identifikimin dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit E.O., 47 vjeç, banues në fshatin Nang, si autor i dyshuar i zjarrit në vendin e quajtur Sasat, në malin e Gjallicës.

Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar, Policia i gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri Kallashnikov dhe municion luftarak.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Drejtoria Vendore e Policisë Kukës ka apeluar te të gjithë banorët që në asnjë rast mos të shkaktojnë zjarre pasi do përballen me ligjin.

Policia ftoi tutje qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital për çdo rast të zjarrvënies apo të paligjshmërisë në tërësi duke ju garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm nga strukturat policore.