Kuçi viziton Gjilanin, zotohet për zgjidhjen e problemit të ujit të pijshëm

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, gjatë një vizitë në Komunë e Gjilanit ka premtuar mbështetje për zgjidhjen e çështjes së ujit të pijes dhe impiantit të ujërave të zeza për  këtë qytet.

“Janë tri ligje që Qeveria i ka dërguar në Kuvend, Ligji për Rishikim të buxhetit, për menaxhimin e pandemisë dhe rimëkëmbje ekonomike dhe këto janë ligje të rëndësisë esenciale dhe pa miratimin e këtyre Kosova shumë shpejt do të futet në kolaps”, tha ministri Kuçi.

Kurse, kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka falënderuar ministrin Kuçi për vizitën dhe njëherit ka thënë se lajm i mirë është që është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës impianti për ujëra të zeza.

“Sot jam i nderuar që në Gjilan pres ministri Blerim Kuçi, i cili ka ardhur për të parë nga afër gjendjen në komunën tonë në situatë pandemie dhe duke e njoftuar për angazhimet tona për shëndetin publik të qytetarëve dhe shëndetin e ekonomisë në fokus investimet publike që Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit ka në rajonin e Gjilanit”, ka thënë Haziri.

Në vazhdën e vizitave në këtë komunë, Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit  Blerim Kuçi, ka vizituar kompaninë regjionale të ujërave K.R.U. “Hidromorava” në Gjilan, ku është njoftua nga menaxhmenti i kësaj ndërmarrje për sfidat me të cilat po përballen si shkak i pandemisë dhe në furnizimin me ujë të pijes.

Sipas një njoftimi për media, Kuçi i ka ofruar mbështetje kësaj kompanie, që qytetarët e Gjilanit mos të kenë probleme në furnizimin me ujë.

“Ne u fokusuam te një projekt, i cili do të jetë zgjidhja adekuate për një fazë afatshkurtër. Do të jetë një projekt që do të ndihmojë kalimin e gjendjes së thatësirës. Ne u dakorduam për këtë projekt që qytetarët e Gjilanit të mos kenë problem çështjen e furnizimit me ujë. Jemi të gatshëm që t’i ndihmojmë kompanisë për një projekt që e bënë zgjidhjen konkrete të furnizimet me ujë”, deklaroi ministri Kuçi pas takimit.

Ndërkaq, Muhamet Suliqi, kryeshef ekzekutiv i kompanisë “Hidromorava”, ka falendëruar ministrin Kuçi për vizitën si dhe e ka njoftuar me problemet që po has kjo kompani.

“Falënderoj ministrin për vizitën, ku për së afërmi u njoftua për gjendjen e Hidromoravës, me të cilin bsieduam rreth sfidave që përballet kompania jonë,  për gjendjen emergjente të pandemisë dhe tash për tash jemi duke e menaxhuar mirë situatën”, tha ai.

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit Blerim Kuçi, gjatë vizitës në Gjilan ka vizituar dhe ka inspektuar punimet e Shkollës “Thimi Mitko”, ku për së afërmi u njoftua për zbatimin e masave të efiçiencës së energjisë dhe në izolimin e ndriçimin e objektit të kësaj shkolle, projekt i cili do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Pjesë e vizitës së  Kuçi në rajonin e Gjilanit ishte edhe inspektimi i punëve në ndërtimin e platosë “Mirusha”.​

Që nga viti 2019, Komuna e Gjilanit ka pasur problem me furnizim të ujit të pijshëm, për shkak të mungesës së reshjeve të shiut.