Kryetari i Zveçanit e shkarkon, reagon nënkryetarja Sllagjana Pantoviq

Kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci, ka bërë të ditur se ka shkarkuar nënkryetaren e Komunës, Sllagjana Pantoviq.

“Sot kam vendosur që ta shkarkoj nga detyra nënkryetaren e komunës, zonjën Sladjana Pantovic. Ky vendim vjen si pasojë e mospërmbushjes së detyrave nga ana e saj, tejkalimit të kompetencave, si dhe mos punës në shërbim të të gjithë qytetarëve të komunës”- ka shkruar kreu i Zveçanit, Ilir Peci, në Facebook.

Pavarësisht kësaj, Peci ka shkruar se do të vazhdojë t’i kryejë obligimet si kryetar i të gjithë qytetarëve të Komunës së Zveçanit, pa dallim.

Ndërkaq, në reagimin e saj në Facebook, Sllagjana Pantoviq, ka shkruar se do ta padisë kryetarin Peci, dhe e ka lidhur shkarkimin e saj me takimet që ka pasur me kryeministrin Albin Kurti.

“PDK-ja e pa që unë kam qenë disa herë në kryeministri dhe pas një takimi pardje me kryeministrin, janë mërzitur sepse menduan se dua të punoj kundër Pecit. Peci është një njeri që nuk mund të më konkurrojë intelektualisht dhe politikisht, kështu që unë kurrë nuk kam folur keq për të me kryeministrin”- ka shkruar ajo ndër të tjera në Facebook.

Ajo e ka quajtur Pecin “të paaftë për të nënshkruar” e lëre më që të punojë për qytetarët.

Një ditë më parë Pantoviq ka pasur një takim me kryeministrin Kurti.

Sllagjana Pantoviq ishte edhe kandidatja e vetme serbe që garoi në zgjedhjet e prillit për kryetare të Komunës së Zveçanit.