Foto: KALLXO.com
Telat me gjemba dhe autoblindat e Policisë largohen nga zona rreth objektit të Komunës së Zveçanit
Autoblindat e Policisë së Kosovës, telat me gjemba të KFOR-it e pengesa të tjera që kanë qenë të vendosura tash e gati një vit pranë objektit të Komunës së Zveçanit tashmë nuk janë aty.
Këto automjete të Policisë janë larguar, teksa nuk dihen arsyet se pse, ndërsa pamjet që ka siguruar KALLXO.com tregojnë se para ndërtesës së Komunës së Zveçanit janë të vendosura vetëm disa automjete të Policisë.
KALLXO.com ka kontaktuar Policinë për të marrë më shumë detaje shtesë, mirëpo deri më tani nuk ka kthyer përgjigje.
Që nga maji i vitit 2023, automjete që zakonisht përdoren nga Njësitë Speciale të Policisë kanë qenë të vendosura në afërsi të objekteve komunale në tri komunat e veriut të Kosovës; Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
Edhe për dy komunat e tjera, Leposaviq dhe Zubin Potok, KALLXO.com kërkoi nga Policia të dijë nëse janë larguar edhe nga aty autoblindat.
Situata e sigurisë gjatë gjysmëvitit të kaluar në këto komuna nuk ishte e qetë.
Në zgjedhjet që u mbajtën në prill të 2023-ës fitues dolën kryetarë shqiptarë, pasi komuniteti serb bojkotoi zgjedhjet.
E betimi i këtyre kryetarëve, që u bë në maj të vitit që lamë pas, u kundërshtua me protesta të dhunshme.
Pjesëtarë të Policisë së Kosovës, të KFOR-it e edhe ekipe të gazetarëve mbetën të lënduar nga dhuna që ushtruan protestuesit.