Kryeministri Kurti u takua me ambasadorin britanik

Përderisa ende nuk dihet nëse do të takohet sot me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ambasadorin britanik, Nicholas Abbott.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, Kurti dhe Abbott kanë diskutuar edhe për zhvillimet në vend dhe marrëdhëniet mes dy vendeve.

“Pas takimit që më 26 qershor Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi me Sekretarin për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, James Cleverly në Londër, sot priti në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott” – njofton Zyra e Kryeministrit.

Vizita në Londër dhe takimi mes kryeministrit Kurti dhe Sekretarit Cleverly ishin po ashtu tema të diskutuara, sipas ZKM-së.

Ndërkohë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, sot është në Kosovë për vizita zyrtare dhe ka kërkuar që të takohet edhe me Albin Kurtin.

Ende nuk dihet nëse Kurti e ka konfirmuar këtë takim apo jo.

Të mërkurën, Albin Kurti e ka ‘kushtëzuar’ takimin me kryeministrin e Shqipërisë me mbajtjen e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive.

Kjo mbledhje ishte planifikuar që të mbahej më 14 qershor në Gjakovë, por ishte anuluar njëanshëm nga Edi Rama me arysetimin se “në kushtet e agravimit me orë të marrëdhënieve të Kosovës me krejt bashkësinë euro-atlantike, ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar”, pas zhvillimeve në veri të Kosovës.